'Udhëtimi', tregim nga Shqiptar Oseku

'Udhëtimi', tregim nga Shqiptar Oseku

Foto ilustruese

Ishin çift shqiptar si janë shumica prej nesh, të martuar në moshë të pasherr kur s’dinin më mirë, kryesisht pse ashtu deshën pleqtë; tolerantë me pahir ndaj njëri-tjetrit, me ndarje të prerë detyrash, seks të çrregullt, tradhti të rregullta, fqinj të çmendur, e çaste të rralla lumturie në një rrëke të errët e rrëmbyese krizash, shfryrjesh e pendimesh që ua kishin nxirë jetën që të dyve. Kishin një djalë, të dalë nga shtëpia qëmoti. Kjo çiftet o i rehaton, o ua nxin jetën, e në rastin e tyre vlente kjo e dyta. Me folë kah del shpirti, në vende të qytetëruara ata do të ishin ndarë qëmoti. Por ç’t’i bësh jetës, kjo e shkretë është si apostrofat e dyfishtë. Duhet pranuar gjërat ashtu si janë, se s’varen prej teje. Ai kish nisur të shkojë gjithnjë e më shpesh në ”udhëtime zyrtare”. Ajo ish fantaksur në kuzhinë. Gatuante gjithçka bio organike si te ato videot në Youtube, bukë shtëpie, djathë shtëpie, suxhuk shtëpie. 

Mirëpo, u ndodh nganjëherë edhe çifteve shqiptare më të rutinuar që ferri i përbashkët thjesht t’u bëhet i padurueshëm. Ky kulminacion zakonisht vjen kur u vdesin pleqtë, e çifti me menopauzë çlirohet më në fund nga burgu i pritshmërive. Atëhere diqysh u ngordhin edhe arsyet për të bashkëvuajtur. Pse të rrish në burg, kur gardianët s’janë më. Ose ndodh kur burri a gruaja marrepsen mbas dikujt të tretë, kur ndonjë nga ato tradhtitë rutinore mbarsen me rëndësi koti dhe bëhen shkas për ndarje e melodramë lagjesh që preokupon me javë e muaj familjarët, miqtë, e fqinjët e afërm e të largët, deri larg në fshat të lindjes e në mërgatë. Se këtë do thënë, për ty që s’i njeh çiftet shqiptare, se jeta e tyre gjithçka mund të quhet përpos e tyrja. 

Këtë rrethanë, pak a shumë, po e mejtonte atë ditë fatprerë edhe ai, tek kthehej në shtëpi nga ”udhëtimi zyrtar”. Prindërit kishin vdekur dhe ai kish vendosur

 që të flasë shkoqur me të shoqen, pa të dalë ku të dalë. Biseda s’do të ishte fare e lehtë, këtë e dinte. Ajo ndodhej në atë fazë harmonie e opsesioni me kuzhinën, e cila i vinte sa herë që kish dalë nga një krizë e radhës, dhe ky e dinte fort mirë se biseda do ta fërfëllonte në një krizë të re. Por e dashura e kish mbështetur me shpatulla për muri gjatë ”udhëtimit zyrtar”. Le të themi kështu, më mirë t’i fliste ky gruas, se t’i fliste e dashura. Po ta mbaronte bisedën sot, e premte mbrëma, do të kalonte një fundjavë super me të dashurën. Ai pështyu, shau me vete, e hapi me çelës derën e apartamentit. 

Ajo i doli para si rëndom, nga forcë e shprehisë. Ai pa sërish figurën e njohur, të majmur nga vitet, me flokë të ngjyrosur e të veshur në tuta gri, tek po i gjuhej me buzë të fryra në një si O të puthjes. Mpuq, mirë se erdhe, a u lodhe. Sa e shtrova tavolinën, tava del nga soba për dhjetë minuta. Kam nisur suxhuk shtëpie, bleva mish e qepë e zorrë, do ta nis nesër që të tiret. A të ka marrë malli. Ish vështirë ta kuptoje në e kish fjalën për suxhukun a për atë vetë. Ai foli buzërrudhur, jo jo në rregull jam. U lodha, rrugë e gjatë. Dua të pushoj pak se do të dal prapë, por a ulesh një çikë të lutem. Se kam dy fjalë për t’i thënë. 

Ajo u ul pranë tavolinës së ushqimit me një vetull të ngritur përpjetë në mënyrë demonstrative. Hë, mbarë qoftë, athua ç ‘paska ndodhur tash. 

Ai i foli, gjerë e gjatë. Ajo dëgjoi e stepur. Vetulla e habisë u ul dhe fytyra i mori ngadalë një pamje të ngrirë asgjëthënëse, teksa po shikonte të shoqin përballë, ulur siç ishte atje tej tavolinës së shtruar, matanë reliefit të pjatave të nxjerra, almiseve, gotave, botiles së verës, qiririt të ndezur. Një zdap i gjatë, veshur me kostum si gjysh, qeros, puçërran, meskin hidhnak e inatçor. E kish duruar sa vite, së pari për hir të prindërve, mandej për hir të djalit, mandej thjesht se ish mësuar me praninë e tij, me cenet e hujet e tij idiote. E tash, ky debil po i tregonte sharte të burrnisë. Imagjino a, të lutem. Në veshë i oshëtinte pulsi i zemrës e qarkullimi i gjakut, e fjalët e tij i vinin si jehonë nga larg, pa arritur dot që t’i rrokë e t’i zbërthejë të gjitha. Por përmbajtja qe e qartë. Ai do të kujdesej për ekonominë e saj. Asaj s’do t’i mungonte asgjë. 

Një zile ra në largësi dhe ajo, si të ishte në trans, u nis drejt kuzhinës. Qe ora për të nxjerrë tavën. I veshi dorashkat e sobës, u përkul. Ajri i valë e goditi si shpullë në fytyrë, ndërsa ai vazhdonte me lehjet nga fundi i botës, atje tej nga tavolina në dhomë të ditës. I fryu tavës, si rëndom. Atij s’po i pushtonte goja. Kreditë bankare ishin në rregull. Xhirollogaritë i kishin ndarë qyshkur. Ai po dërdëlliste me një zë të tensionuar, që kësaj iu bë sërish si zëri i babait të tij të ndjerë. Sa qe gjallë i vjehrri, i kish ngatërruar shpesh në telefon zërat e tyre. Hë zemra, si je sot. Jo moj nuse, jam unë. Kjo qeshja e tyre idiote. Ajo mori tavën dhe hyri në dhomë të ditës. Ai vazhdonte të flasë, me sytë ngulitur te një cigare që kish ndezur. Ajo e pa nga lart. Kryet e tij qeros po shkëlqente nga djersët, në një si rreze të veçantë të dritës. Ajo mori frymë thellë, e ngriti tavën, e ia plasi me sa forcë që pati mu në rrashtë.

Kur i doli kllapia, pa veten të ulur në karrigen përballë. Trupi i tij ish nderë aty ku kish rënë, përposh tavolinës. Jashtë kish nisur të bjerë muzgu. Zhurmat e trafikut që vinin nga matanë dritaresh ishin mbarsur me si një tension nevrik. U ngrit si e mpirë, e hoqi zvarrë trupin e tij drejt banjës. Mandej u kthye që andej, e lau dhe fërkoi me klorin për dy orë rresht dyshemenë në dhomë të ditës. Kur iu duk se u kënaq me punën e vet, shkoi së pari në kuzhinë, ku rrapëlliu për ca kohë. Mandej vajti e ndenji gjatë në banjë. 

Të nesërmen u çua herët, e doli së pari me ca qese mbeturinash. Komunalja bënte xhiron herët paradite. Kur u kthye, griu qepë e mish me orë, duke mbushur zorrë të lara me suxhuk shtëpie. Mandej u la, ngjyu flokët me një të zezë si pendë korbi, veshi fustanin e bardhë që ia kish ëndja furrtarit, vuri grim e parfum. Mori suxhukun e shtëpisë, e doli. Te furrtari arriti në orë të saktë. Ai ish një burrë i zoti, të cilit i kish ëndja të fryhet se kish nisur nga zero dhe sot kish sa furra anembanë qytetit. I kish ëndja edhe të komplimentojë gratë e huaja. Kësaj ia kish ëndja ta qortojë me lezet, e t’ia kujtojë se është e martuar. Po pse nuk vjen kurrë jot shoq këtu, e cimbisi ai. Është në udhëtim pune, u përgjigj kjo. Prapë?! pyeti ai me habi të shtirë, shiko punën tate zonjë se jot shoq ka gjetur një tjetër. Ku ta gjesh atë fat, se na nxorët për hundësh ju burrat. E ditke si mbushet suxhuku i shtëpisë zonjë, ia paske marrë dorën.

 Në jetën e saj kuadrate, ky flirt i përsëritur pa sherr ishte si mëlmesë e lehtë, që as ia ndërron shijen as aromën jetës, po thjesht e bën më të durueshme.

Fundjavën e hoqi para televizorit. Të hënën vajti për të marrë suxhukun e tymosur, e veshur në fustan të kuq. Pse s’vjen yt shoq zonjë. Është në udhëtim pune.

 Shiko hallin tënd zonjë. I njëjti dialog, e njëjta mëlmesë, që kësaj radhe i erdhi më e ëmbël. Sa mbërriti në shtëpi, i cingëroi telefoni. Ishte thirrja që po e priste, nga puna e të shoqit. Jo nuk di se ku është, s’ka qenë në shtëpi nga e enjtja. Ai më ka thënë se e keni nisur ju në udhëtim zyrtar gjer të martën. Një ndërprerje e sikletshme, ndërsa kolegë solidarë sigurisht po diskutonin se si të mashtrojnë gruan mendjelehtë. Po po, natyrisht që ju thërras po u lajmërua, më bëtë një çikë merak. Të nesërmen ajo foli prapë me punën. Mandej thirri policinë.

Policët që erdhën në shtëpi ishin figura origjinale, një i ngjeshur e i shkurtër dhe tjetri zdap i hollë. Ajo i priti me trazim të kuptueshëm të gruas shqiptare, që pak ka frikë për burrin, e më fort se mos humb fytyrë. Apo nuk shkruanin gazetat për kufoma burrash të gjetura në motele, nga ato motele ku dhoma merret me orë. Ç’do të thonë gjindja. Policët ishin plot mirëkuptim. Shihej se ky s’ishte rasti i parë. Meqë ishte kohë dreke, ajo i ftoi që të hanin, sa kish bërë suxhuk shtëpie. Policët së pari refuzuan, jo po detyrë zyrtare, jo po s’u lejohej. Por ajo ngulmoi. E policët dikur pranuan, si t’ia prishnin një gruaje në krizë? Ua mbushi pjatat me suxhuk, e bukë, e kripë e qepë, me një repete të dytë, e mandej edhe një të tretë, se kurrë s’kishin ngrënë suxhuk më të mirë. U ndanë miqësisht, ata me gogësimë, e ajo e qetësuar ca nga një premtim i tyre se do ta njoftonin përditë rreth hetimit. Një shembull shkollor i policimit lokal në shërbim të komunitetit.

Policët kthyen aty prapë të nesërmen, sa për të treguar se s’kishin lajm prej burrit. Ajo u nxori prapë suxhuk përpara, me repete të dytë teksa ata po i tregonin me nge për hollësitë e hetimit. Rasti e donte një qasje me gjithë taktin e finesën që kërkon detyra zyrtare. Tek flisnin, policët shikoheshin shpesh, si për të kërkuar ndihmë e konfirmim nga njëri-tjetri. I thanë se kishin intervistuar shefin dhe kolegët në zyrën e burrit, së pari bashkërisht dhe mandej një nga një. Por asnjë syresh s’po gjente dot detajet e udhëtimit zyrtar për të cilin u kish folur zonja. Ajo u duk e stepur. Ra një heshtje e zorshme. Këto lëndë ishin të vështira. A mos i kish gjë lekë borxh dikujt bashkëshorti? A mos kish, ahëm, të njohur në tjera qytete? A mos kish dyshuar e shoqja gjëkafshë? Kish vërejtur gjë diçka të parëndomtë?

Ajo, e tronditur dukshëm, vajti e mekur gjer në kuzhinë. Kur u kthye, po ua mbante në duar porcionet e treta. U përgjigj me jo në të gjitha pyetjet e tyre, por shihej qartë se po e brente një krimb dyshimi i paemër.  Ata shikuan njëri-tjetrin. Kuptohet se edhe ata kishin tashmë dyshimet e veta. E pra, nuk i kthehet dora një gruaje të në këtë gjendje. Natyra e gruas është delikate, dihet kjo. Ndenjën pak më gjatë se rëndom, duke e qetësuar me fjalë aq sa mundeshin. Do ta hetonin punën me kolegët në qytete tjera. Do të flisnin me dëshmitarë të tjerë. Ajo u tregoi se kish folur të premten me mishtarin për burrin, ata i thanë menjëherë se do ta dëgjonin edhe atë. Do të

 ktheheshin prapë të nesërmen. Dhe u kthyen vërtet të nesërmen në mbrëmje, të dy bashkë si rëndom, e gruaja u nxori prapë para suxhukun e shtëpisë. S’kam mundur ta fus gjë në gojë qëkur ndodhi kjo zezonë, u tha, më bëni nder po ta mbaroni këtë që ka ngelur.

 Ata nuk ia prishën qejfin. Por lajm nga burri nuk kishte.

Në fund të javës, ajo lajmëroi policinë se do të shkonte në shtëpi të djalit të vet, që rastiste të banojë në një tjetër qytet. Gratë shqiptare shkojnë shpeshte djali në raste të tilla, dihet kjo. U la adresë e numër telefoni, por ata s’u lajmëruan më. Suxhuku kish mbaruar dhe hetimet kishin hyrë në një fazë më pasive. Mbas gjashtë muajsh, i erdhi një informacion me shkrim se policia e kish kaluar lëndën në togun e rasteve të ftohta. Pista e vetme që i kish mbetur policisë ishte ajo më e besueshmja, se burri mund të kish shkuar jashtë vendit. Apo nuk ndodhnin të tilla raste përditë. Nga konsiderata për situatën e ndjeshme, ata nuk i  treguan për relacionin jashtëmartesor të burrit, as për shkëmbimet e tij në chat me të tjera gra shqiptare në Perëndim. Natyra e gruas është delikate. Pse ta helmosh kot një të mjerë me dyshime që s’i ndreqin punë. 

Ishin çift shqiptar si janë shumica prej nesh. Tolerantë me pahir ndaj njëri-tjetrit. Me folë kah del shpirti, në vende të qytetëruara ata do të ishin ndarë qëmoti. Kështu e ka jeta, askush s’e zgjedh vendlindjen e vet. Mirëpo, u ndodh nganjëherë edhe çifteve shqiptare më të rutinuara që ferri i përbashkët thjesht t’u bëhet i padurueshëm. Policia e kishte këtë shumë të qartë. Dhe atëhere, gjërat duheshin lënë ashtu siç ishin. 

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë