LEZHË- Një 30-vjeçar është arrestuar në Lezhë pasi udhëtonte me armë me vete. Gjatë operacionit në aksin Lezhë-Shkodër, policia ndaloi makinën në të cilën i riu po udhëtonte.

Gjatë kontrollit fizik, Gledis Ustabeqirit iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë, me dy krehra dhe municion luftarak.

“Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Tranziti”. Gjatë operacionit, në aksin rrugor Lezhë–Shkodër, pranë rrethit të Shëngjinit, shërbimet e Policisë ndaluan për kontroll automjetin taksi, në të cilin dyshohej se udhëtonte si pasagjer një shtetas i armatosur.

Gjatë kontrollit fizik të pasagjerit, shtetasit G. U., 30 vjeç, banues në Shkodër, iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë, me dy krehra dhe municion luftarak”, njoftoi Policia e Lezhës.

Ndaj të riut rëndon akuza për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”

Arma e zjarrit e sekuestruar do të dërgohet në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse është përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të ndodhur më parë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës se Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.