Sa më i vjetër të jetë ndërtimi, aq më i ulët do të jetë edhe çmimi i referencës. Është zbardhur udhëzimi i ri i Ministrisë së Financave i cili parashikon amortizim të referencës me 1% për çdo vit vjetërsie.
“Çmimeve të referencës, do t’i zbritet 1% e vlerës për çdo vit të plotë shtesë përdorimi, duke filluar nga data e fitimit të titullit të pronësisë për herë të pare”, thuhet në udhëzim.
Zbritja prej 1% do të aplikohet për të gjitha llojet e pasurive të paluajtshme duke filluar nga apartamentet, dyqanet, parkimet , ambiente sportive, ndërtimet për veprimtari industrial etj. Por theksohet se zbritja e referencës nuk mund të jetë asnjëherë më e madhe se 30%.
Për ta ilustruar me një shembull, nëse në zonën e 'Ali Demit' në Tiranë, çmimi referencë për metër katror është 1000 euro do të jetë 24% më i ulët kur është ndërtim i vitit 2000 ose rreth 240 euro më pak. Më pas në momentin e shitjes ndërtesa do të shitet me çmim reference 760 euro, dhe për diferencës midis vlerës së parë dhe vlerës pas shitjes do të mbahet tatimi 15%.
Ndërsa kur bëhet fjalë për ndërtesa (përjashtuar apartamentet dhe ndërtimet e përfituara me legalizim) me koeficient amortizimi mbi 50%, vlera e shitjes së pasurisë së paluajtshme për efekt të tatimit do të përcaktohet nga një vlerësues i pasurive të paluajtshme.
Kurse sa i takon ndërtesave që përdoren për veprimtari ekonomike çmimi referencë për m2 do të jetë 1.5 herë më i lartë se referenca për sipërfaqet e banimit në varësi të qyteteve, dhe do jetë 2 herë më e lartë në Tiranë.
Po në këtë udhëzim është specifikuar që do të tatohet me 15% çdo pasuri e dhuruar ose e trashëguar jashtë lidhjeve motër dhe vëlla. Pra nëse një pasuri I dhurohet kushërinjve të parë do të tatohet me 15%. Përjashtim nga tatimi bëjnë vetëm pasuritë me vlerë jo më të madhe se 5 milionë lekë.