Në lokalet e bregdetit nuk do të lejohet muzika me volum të lartë nga ora 20:00 deri në 24:00. Pas mesnate, muzika duhet të ndalojë. Udhëzimi i ri ka hyrë sot në fuqi, bëri të ditur ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, gjatë një vizite në Lezhë i cili tha se Policia e Shtetit dhe Bashkiakja do të marrin masa që niveli i zhurmës të mos tejkalohet dhe të garantohet qetësi për pushuesit.

“Kemi nënshkruar, së bashku me Ministrinë e Mjedisit dhe Ministrinë e Shëndetësisë, udhëzimin e ri për nivelin e zhurmave gjatë sezonit turistik. Ky udhëzim hyn në fuqi sot, me botimin në Fletoren Zyrtare. Nga ora 20:00 deri në 24:00, niveli maksimal i lejuar i zhurmës është 45 decibel në mjediset publike. Ndërsa nga ora 11:00 deri në 20:00, niveli i lejuar është 65 decibel.

Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit do të monitorojnë zbatimin e këtij udhëzimi dhe do të marrin masa që këto nivele të mos tejkalohen. Ne duam që pushuesit të gjejnë qetësi, si gjatë frekuentimit të lokaleve, ashtu edhe në ambientet e tjera. Çdokush që vjen me familjen për të pushuar në Shëngjin apo në zonat e tjera turistike të vendit duhet të ketë mundësi të pushojë pa u shqetësuar nga zhurmat. Ky udhëzim është hartuar në përputhje me standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për nivelin e lejuar të zhurmës”, tha Lamallari.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë i Lezhë, Pjerin Ndreu, u shpreh se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit ka sjellë rritje të rendit dhe sigurisë publike, duke ndikuar drejtpërdrejt në një sezon turistik të suksesshëm. Ai vlerësoi gjithashtu aktin normativ të qeverisë për minimizimin e zhurmave në zonat turistike.

Gjatë vizitës në Lezhë, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim në Bashkinë e Lezhës. Në fokus të diskutimeve ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dhe rritja e efikasitetit të institucioneve për të garantuar një sezon të qetë dhe të sigurt për të gjithë pushuesit që zgjedhin bregdetin e Lezhës këtë verë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:55
Siguria në plazhin e Shëngjinit, Hita: 357 shoferë të ndëshkuar në fundjavë, me shpejtësi deri në 200 km/h! Respektoni rregullat e qarkullimit

 

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, inspektoi zbatimin e masave të sigurisë në zonën e Shëngjinit, në kuadër të sezonit turistik.

Gjatë inspektimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit falënderoi punonjësit e Policisë Rrugore të Kosovës, të cilët janë në shërbim të përbashkët me kolegët e Policisë Rrugore shqiptare në zonën e Shëngjinit, në kuadër të bashkëpunimit për garantimin e sigurisë rrugore gjatë sezonit turistik.

Njëkohësisht, ai vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, të cilat, me orë të zgjatura shërbimi dhe sakrificë të përditshme, garantojnë sigurinë e qytetarëve dhe vizitorëve në të gjithë vendin.

Drejtori i Përgjithshëm theksoi se siguria rrugore gjatë sezonit turistik mbetet një nga prioritetet kryesore të Policisë së Shtetit, ndaj janë intensifikuar kontrollet dhe është shtuar përdorimi i mjeteve inteligjente në të gjitha akset rrugore.

"Vetëm gjatë fundjavës janë ndëshkuar 357 drejtues automjetesh për tejkalim të shpejtësisë, me shpejtësi të konstatuara që varionin nga 150 km/h deri në mbi 200 km/h. U bëj apel të gjithë përdoruesve të rrugës që të respektojnë kufijtë e lejuar të shpejtësisë, sinjalistikën rrugore dhe të gjitha rregullat e qarkullimit, pasi shpejtësia mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore me pasoja fatale", tha Hita.

Drejtori i Përgjithshëm u ndal edhe te problematika e ndotjes akustike, duke vlerësuar punën e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë për kontrollet e vazhdueshme dhe matjet e nivelit të zhurmës me pajisje të specializuara.

Ai kërkoi nga strukturat e Policisë së Lezhës, si dhe nga të gjitha strukturat policore në vend, që të intensifikojnë kontrollet, në zbatim të ligjit dhe të udhëzimeve të dhëna, me qëllim garantimin e qetësisë publike, respektimin e normave të zhurmës dhe krijimin e kushteve sa më të mira për banorët dhe pushuesit në të gjitha zonat turistike të vendit.