Për turistët që kërkojnë një destinacion të bukur dhe me kosto të përballueshme për pushimet verore, Shqipëria renditet këtë vit ndër zgjedhjet më të mira në Evropë.
Në një artikull të publikuar në median britanike “Wales Online”, gazetarja Amy Jones e cilëson vendin si një nga destinacionet më ekonomike të kontinentit, ndërsa veçon Ksamilin si një alternativë mbresëlënëse kundrejt Maldiveve, falë ujërave të kristalta dhe plazheve me rërë të bardhë.
Sipas artikullit, Ksamili është një nga destinacionet evropiane më të lira për t’u rezervuar këtë verë dhe konsiderohet nga shumë vizitorë si “Maldivet e Evropës”.
Edhe pse sezoni veror ka hyrë në kulmin e tij, ende nuk është vonë për të planifikuar pushime me diell jashtë vendit, ndërsa shumë destinacione tërheqëse ndodhen vetëm pak orë larg Britanisë së Madhe.
Natyrisht, udhëtimi gjatë një prej periudhave më të ngarkuara të vitit nuk është gjithmonë i lirë, por, fatmirësisht, janë identifikuar disa nga destinacionet më miqësore me buxhetin.
Tirana, kryeqyteti i gjallë shqiptar
Në krye të listës si qyteti më i lirë në Evropë për qëndrime në hotele, renditet kryeqyteti shqiptar, Tirana.
Një studim i kryer nga “Hoppa”, zbuloi se kostoja mesatare e një qëndrimi në një hotel me tre yje në këtë qytet të gjallë dhe të lehtë për t’u eksploruar më këmbë është vetëm 41,72 paund nata.
Në listën e 10 destinacioneve më të mira verore dhe më miqësore me buxhetin për vitin 2026, e cila u hartua pas analizimit të dhjetëra vendeve evropiane, kompania zbuloi gjithashtu se, çmimi mesatar i një birre në Tiranë është vetëm 2,41 paund, ndërsa një vakt mund të kushtojë duke filluar nga vetëm 7,27 paund.
Edhe fluturimet drejt Tiranës janë jashtëzakonisht të përballueshme, me çmime që nisin nga vetëm 17 paund për një fluturim vajtje me “Wizz Air” gjatë muajit gusht, me nisje nga aeroporte të ndryshme të Londrës. Sipas “Skyscanner”, udhëtimi zgjat më pak se tre orë.
Edhe pse Tirana, është një qytet kompakt, kjo e bën atë jashtëzakonisht të përshtatshëm për t’u eksploruar më këmbë, me një mori vendesh për t’u vizituar, duke filluar nga arkitektura e saj unike dhe fasadat shumëngjyrëshe, te arti urban, parqet e gjera të gjelbra, muzetë dhe galeritë.
Qyteti është i njohur për restorantet me çmime të përballueshme, kulturën e kafeneve dhe baret plot gjallëri, si edhe për ndërthurjen mbresëlënëse të arkitekturës moderne me historinë e lashtë.
Adam Hodge, anëtar i ekuipazhit të kabinës së “Wizz Air” prej tetë vitesh, e përshkroi Tiranën si një destinacion në zhvillim të shpejtë.
Ajo nuk ofron vetëm anën urbane të qytetit, por shumë pranë ndodhen edhe plazhe dhe zona bregdetare, kështu që ofron më të mirën e të dyja botëve.
Riviera Shqiptare
Pasi të keni eksploruar qytetin, mund të drejtoheni drejt bregdetit mahnitës shqiptar, i cili është krahasuar me peizazhet e Maldiveve, falë ujërave të tij të kristalta me ngjyrë bruz dhe plazheve të paprekura me rërë të bardhë.
Shqipëria ka një ngjashmëri me Maldivet, veçanërisht për atmosferën e saj bregdetare, shezlongët e bukur dhe ujërat e saj me ngjyrë akuamarinë.
Nëse dëshironi të bëni një pushim në qytet, është një zgjedhje e shkëlqyer, ose nëse preferoni një pushim në plazh përgjatë bregdetit, atëherë më në veri të tij do të gjeni alternativën evropiane të Maldiveve.
Bregdeti shqiptar shtrihet përgjatë deteve Adriatik dhe Jon, ndërsa disa nga plazhet më mahnitëse të Evropës ndodhen në Rivierën Shqiptare, në jug të vendit.
Ato janë cilësuar ndër më të bukurat në Evropë, ndërsa Ishujt e Ksamilit veçohen si një perlë e rrallë.
Dhërmiu dhe Plazhi i Jalës përfaqësojnë një tjetër destinacion të jashtëzakonshëm për adhuruesit e diellit, duke ofruar festa në plazh dhe bare plot gjallëri, krahas bukurisë së tyre natyrore.
Megjithatë, nuk është vetëm bregdeti jugor ai që lë mbresa; brigjet veriore ofrojnë një alternativë më të qetë, me plazhe madhështore të fshehura në gjire dhe limane të izoluara.
Shqipëria është padyshim, një nga destinacionet më të preferuara dhe një vend që meriton vëmendje.
Ajo ka gjithçka që nevojitet për një pushim të shkëlqyer dhe ofron një raport shumë të mirë cilësi-çmim./ ATSH
Komente










