Protestat e muajit qershor kanë frenuar turizmin. Ministri Kulturës Blendi Gonxhja thotë se vizitat në sitet kulturore u ngadalësuan gjatë këtij muaji.
"Të dhënat e muajit qershor tregojnë një ngadalësim të ritmit të rritjes, e lidhur direkt me periudhën e protestave. Ndërsa periudha janar–maj 2026 regjistroi një rritje prej 9.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, qershori 2026 shënoi një rritje prej 4.8% krahasuar me qershorin 2025, duke rënë me -52% krahasuar me trendin rritës të janar - maj 2026”, shkruan Gonxhja.
Megjithatë, sipas ministrit bilanci i gjashtëmujorit mbetet pozitiv. Nga janari në qershor, sitet kulturore janë vizituar nga 617 mijë e 907 persona, ose 89% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
“Në një sektor si turizmi, besimi, stabiliteti dhe perceptimi i sigurisë janë faktorë vendimtarë në zgjedhjet e vizitorëve dhe të operatorëve turistikë. Çdo klimë tensioni, frike apo përplasjeje publike rrezikon të dëmtojë imazhin e vendit dhe të ndikojë në ritmin e zhvillimit të turizmit. Për këtë arsye, mbrojtja e industrisë turistike dhe e brandit të Shqipërisë së qetë e mikpritëse duhet të mbetet një përgjegjësi e përbashkët, përtej çdo interesi apo axhende politike momentale”, vijon Gonxhja.
Të njëjtën prirje tregojnë edhe shifrat e INSTAT. Pas disa vitesh rritjeje, turizmi në Shqipëri dha sinjalet e para të ngadalësimit gjatë muajit qershor, të cilën qeveria e lidh me protestat. Në qershor, Shqipëria priti 1.34 milionë turistë të huaj, vetëm 1.3% më shumë se një vit më parë, një rritje dukshëm më e ulët krahasuar me ritmet e viteve të fundit.
Komente










