Ashtu siç Sali Berisha e paralajmëroi pak ditë më parë gjatë Foltores që pati në Lezhë, ka nisur puna për përditësimin dhe pastrimin e listave të anëtarësisë së Partisë Demokratike. Këtë të martë, degët e Partisë Demokratike kanë marrë udhëzimin për procesin dhe metodologjinë që duhet të ndjekin me qëllim përditësimin e listave të anëtarësisë, objektiv i cili përcaktohet të arrihet deri më 20 shkurt të këtij viti.

Në udhëzimin e siguruar nga Report TV, thuhet se për realizimin e këtij procesi do të ngrihet një grup pune në çdo degë të PD-së, i cili do monitorohet nga drejtuesi politik i qarkut.

Në zbatim të deklaratave të Berishës për spastrime, në udhëzim theksohet se nuk do të konsiderohen anëtarë të Partisë Demokratike, ata që:

“  Kanë punuar kundër interesave të Partisë Demokratike në fushatat zgjedhore, duke u angazhuar në forma të ndryshme pro kundërshtarëve tanë politikë; apo ata që , me qëndrimet e tyre publike dhe politike kanë vepruar kundër vijës politike të Partisë Demokratike, kanë bashkuar votat/qëndrimet me kundërshtarët tanë politikë për çështje shumë të rëndësishme në nivelin vendor apo qendror”.

Me sa duket, kjo pikë e udhëzimin, përshkruan së paku Ervin Salianjin, të cilit Sali Berisha i ka veshur saktësisht këto fjalë.

Baza e të dhënave mbi të cilat do të punojë grupi i punës janë të dhënat e anëtarësisë të pasuruar me pjesëmarrjen në proceset zgjedhore nga viti 2021 dhe përfshin gjithë proceset zgjedhore nga Kuvendi i Rithemelimit të Berishës më 18 dhjetor 2021, deri më sot, duke përjashtuar primaret me simpatizantët.

“Të gjithë emrat në bazën e të dhënave do të identifikohen, verifikohen dhe kontaktohen një për një nga Grupi i Punës. Procesi i kontaktimit do të ndihmojë në rifreskimin e të dhënave të anëtarit. Më pas anëtarët do të pajisen me kartën e anëtarësisë”,- thuhet në udhëzim.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë