Përplasja mes UEFA-s dhe FIFA-s ka hyrë në një fazë të re, pasi qeveria e futbollit evropian po shqyrton seriozisht ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj FIFA-s dhe presidentit të saj, Gianni Infantino, lidhur me planin tashmë të braktisur për privatizimin e një pjese të të drejtave komerciale të Kupës së Botës (20%).

Sipas mediave britanike, UEFA i ka dërguar një letër zyrtare Infantinos, duke e njoftuar se po vlerëson ngritjen e një padie, arbitrazhi ose ankese rregullatore për projektin që parashikonte përfshirjen e investitorëve privatë në të ardhurat komerciale të turneut më prestigjioz të futbollit.

Projekti i propozuar nga Infantino hasi në kundërshtim të fortë nga UEFA, konfederatat e tjera dhe sponsorët kryesorë të FIFA-s, duke bërë që institucioni botëror i futbollit të tërhiqej nga iniciativa.

Në letrën e saj, UEFA kërkon që FIFA dhe Gianni Infantino të ruajnë të gjitha dokumentet dhe të dhënat elektronike që lidhen me këtë projekt, duke paralajmëruar se çdo fshirje ose shkatërrim i provave mund të sjellë pasoja ligjore.

Gjithashtu, procedurat e mundshme ligjore mund të përfshijnë edhe investitorë dhe institucione financiare të përfshira në projekt, si Joshua Kushner, Greg Maffei, JP Morgan dhe OpenEconomics, të cilëve u është kërkuar të ruajnë të gjithë dokumentacionin përkatës.

Marrëdhëniet mes presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, dhe homologut të tij në FIFA, Gianni Infantino, kanë qenë të tensionuara prej kohësh, ndërsa kjo çështje ka thelluar edhe më shumë konfliktin mes dy organizatave.

UEFA kishte paralajmëruar se federatat e saj anëtare mund të bojkotonin Kupën e Botës në rast se projekti do të miratohej. Edhe pse FIFA ka hequr dorë nga plani, UEFA nuk përjashton ndjekjen e rrugës ligjore dhe i ka lënë Infantinos afat prej pesë ditësh pune për të konfirmuar se do të ruajë të gjitha provat dhe dokumentet që lidhen me këtë çështje.