UEFA po planifikon një ndryshim të madh në formatin e kualifikimeve për Kampionatin Europian dhe Kupën e Botës, me qëllim që të shmangen ndeshjet e pabarabarta dhe shpesh të mërzitshme midis ekipeve të niveleve të ndryshme.

Sipas raportimeve të gazetës prestigjioze 'L’Équipe', institucioni më i lartë i futbollit europian po shqyrton mundësinë e një sistemi të ri, të ngjashëm me atë të përdorur aktualisht në Ligën e Kampionëve, për të krijuar më shumë përballje direkte midis kombëtareve të mëdha.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, e ka përmendur këtë ide gjatë Samitit të Futbollit në Lisbonë, duke theksuar se organizata po kërkon një format më modern dhe më tërheqës për tifozët. Midis opsioneve të mundshme janë: përdorimi i Ligës së Kombeve si rrugë zyrtare për kualifikim; ose krijimi i një lige unike me 54 ekipe, apo dy grupe të mëdha me nga 27 ekipe secila.

Një sistem i tillë do të garantonte më shumë ndeshje mes skuadrave elitare, pa i përjashtuar ekipet më të vogla nga gara për një vend në turnetë madhorë.

Megjithatë, çdo ndryshim pritet të hyjë në fuqi vetëm pas vitit 2028, pasi kontratat aktuale televizive dhe komerciale mbeten në fuqi deri atëherë.

UEFA beson se formati i ri, i frymëzuar nga Liga e Kampionëve, mund të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike për federatat, falë rritjes së interesit, të ardhurave nga transmetimet dhe spektaklit sportiv në fushë.