UFO në Shqipëri,Djajtë-Alienë?
Enigmat e ngjarjes në Zerqan

UFO në Shqipëri,Djajtë-Alienë?<br />Enigmat e ngjarjes në Zerqan
Romani i Ben Shehut “Ata nuk duhet ta dinë“ është një libër që tashmë mungon në vitrinat e librarive. Kërkesa për të ka qënë e madhe. Po ashtu enigmat që njerezit kanë kërkuar të zgjidhin nepërmjet këtij libri, pas leximit vetëm sa janë shtuar.

Pasi në të janë parqitur të dhëna reale, nderthurur me krijimtari artistike, një roman ku është ndërthurur fantazia me ngjarjet reale, thekson redaktori i librit Fatmir Minguli. Të dhënat, autori ka mundur ti sigurojë si nga rastësia por edhe nga  mundësia e kontakteve me oficerë të shërbimeve sekrete shqiptare. Disa fakte të rëndësishme dhe enigma ende në qarkullim i kishin cilësuar si me “veprimtari të grupeve të spiunazhit në territor”. 

Po gjatë leximit, nga rrjeshat e këtij romani del natyrshëm edhe një pyetje: A ka mundesi që në Zerqan, një nga zonat  ku zhvillohen aksione të romanit, njerëzit të kenë parë alienë, por nga mungesa e informacionit mbi to i kanë identifikuar me djallin? Dihen legjendat ne Shqipëri se si e paraqesin pamjen e ndryshueshme të djallit në krahina të ndryshme. Duke i u referuar këtij kapitulli interesant të romanit “Ata nuk duhet ta dine”, natyrshëm lind pyetja: mos kemi të bëjmë në ndonjë rast të caktuar si ne Rossuell të SHBA.

Dihet që deri më sot Roswelli është i përfshire në një kornizë vicioze  të  informacionit e  disinformacioni, të gënjeshtrave dhe mbulimit të fakteve sa që edhe sot e kesaj dite përbëjne pikën kyçe në historine e ufologjisë. Në  Korrik të vitit 1947 në qytetin e vogël të Rosëell  është  inspektuar me imtësi një zonë që ishte rreth 230 metra katrore ku u gjetën material të rralla. Koloneli Ëilliam Blanchard i bazës ushtarake në afërsi ka dhënë një deklaratë për shtypin.

Deklara që u përgatit nga Ëalter Haut, toger në bazë që merrej me anën informative, me pak fjalë thoshte që: Baza ushtarak  e e Rosëell kishte nën kontrollin e saj pjesë nga një disk fluturues me origjinë jashtëtokësore… Pas kërkimit të imët të zonës nga ana e ushtarakëve në  pjesën perëndimore të vendit ku u gjeten mbeturinat nga Mac Brazel, fragmentet ishin më të plota dhe derisa u gjet edhe vetë disku... dhe jo vetem aq por edhe disa trupa qe nuk i perkisnin racës njerëzore....Është folur në shtyp se u përgatit të jepej lajmi si dhe u përgatit një reportazh i shkurtër për ndodhinë kur një telefonatë nga dikush që e identifikoi veten e tij si nje agjent i FBI (Federal Byro Of Investigation) e kërcënoi që nëse emisioni do transmetohej, përfshi edhe intervistën me Brazel, stacioni KGFL do të humbiste licencën dhe s’do të transmetonte më kurrë…

Trupat e gjetur siç janë relatuar mediatikisht, janë të shfytyruar krahasuar me trupat normalë. Dhe vizionet e banorëve të ndryshëm, djallin e paraqesin të shfytyruar. Në romanin “Ata nuk duhet ta dinë” në këtë pamje e përafron edhe ushtari në Zerqan. Ndërsa Agroni, oficeri protagonist i romanit, kur kontakton te shpella dhe e qëllon alienin e dyshuar, sheh që kjo pamje ose vizion ishte jashtë çdo trajte tokësore...Të mos harrojmë se aksioni i këtij romani zhvillohet vetëm një dekadë pas ngjarjeve të Rosëellit! Po në se në SHBA shteti kishte kasa sekrete për ti mbyllur sekretet enigmatike, në Shqipëri i mbyllin me dinamit si rasti i një sërë vizatimesh të lashta me alienë, në një shpellë të Kukësit, ku zhvillohet edhe një përplasje e armatosur shërbimesh sekrete dhe në fund shpella minohet dhe sekretet mbeten në një grumbull gurësh...

Ben Shehu
  Ben Shehu
 

Fragment nga romani “Ata nuk duhet ta dinë”
Agroni hyri shpejt në dhomën e tij.  Mbylli derën,  u shtri në krevat dhe filloi të lexonte dosjen e ushtarit P.M. i  cili kryente shërbimin ushtarak në Zerqan të  Peshkopisë.
Një natë po bënte roje në baterinë e artilerisë që ndodhej në kodrën mbrapa repartit dhe siç tregon ushtari,  atë natë j’u shfaq djalli. Ai e përshkruante të lartë rreth një metër e pesëdhjetë, qeros, pa veshë, pa buzë, me sy mëdhenj, pa veshje dhe shejtani nuk i fliste por vetëm e shikonte. Ushtari nuk kishte reaguar nga frika... Kur ishte kthyer në repart kishte bërë raport por ushtarët e tjerë kishin filluar të talleshin me të…Herë mbas here ushtari largohej nga reparti dhe  djalli (tregon gjithmonë ushtari) e urdhëronte të shkonte tek ai, në një vend që ishte gati pesëqind metra larg nga reparti në një zonë të rrëpirtë ku ndodhej një shpellë dhe djalli i fliste po ai nuk e dëgjonte zërin e tij,  po kuptone gjithçka.

Kjo forme skizofrenie, e izolonte nga efektivi, ushtari rrinte vetëm, nuk shoqërohej dhe kur e ngacmonin ushtarët e tjerë,  ai i kërcënonte duke i thënë se do fliste me djallin dhe ai do i ndëshkonte…vazhdonte raporti mjekësor.

Agroni filloi të merrte shënime, nuk po kuptonte si komunikonte ushtari me djallin?...-Mund të jetë ndonjë formë telepatie…-mendoi Agroni. Kur mbaroi së lexuari dosjen Agroni po rrinte me shikim të drejtuar në tavanin e dhomës, nuk dinte çfarë të mendonte,  çdo gjë bëhej lëmsh dhe ai duhet të gjente ku fillonte e vërteta.
 Mori dosjen dhe u drejtua duke ecur për tek zyra e shefit të repartit. Kur arriti përpara derës trokiti.
-Hyr – dëgjoi zërin e doktorit.
Agroni hapi derën, i zgjati dosjen doktorit,  i cili u ngrit nga karrigia, mori dosjen dhe e vendosi midis dosjeve të tjera.
-Mbarove punë me dosjen?- e pyeti doktori.
-Për sot po-i’u përgjigj Agroni, por dua t’a pyes doktor dhe a  është e mundur të marr me vete ushtarin për ndonjë ditë sepse më duhet për hetim?-pyeti Agroni.
Doktori po e shikonte i habitur dhe i tha:
-Posi, mjaft që ne si repart  i spitalit ushtarak të firmosim në kartelë ditën që ju duhet sepse  pacienti ka përmirsim dhe e lirojmë. Ju kur të mbaroni punë e bini prapë dhe e shtrojmë në spital,  duhet të veprojmë kështu që mos të krijojmë probleme- u përgjigj doktori.
-Atëhere duhet të flas me shefin tim dhe dëgjohemi- i tha doktori.
- Po unë kur mund të dal nga spitali doktor?- pyeti Agroni.
-Po të bëjmë nesër  ca analiza të tjera dhe  unë mendoj  se mbas dy- tre ditësh mund të dalësh nga spitali-i’u  përgjigj mjeku.
-Epo mirë,  doktor faleminderit,  natën e mirë- i uroi Agroni.
-Natën e mirë-i’u përgjigj mjeku.
 Agroni mbylli derën pas tij dhe u drejtua për në dhomën e tij. Të mërkurën mbasdite Agroni po vishte uniformën ushtarake, kontrolloi veten nëse çdo gjë ishte ne rregull, mori nga tavolina një dosje ku ishin radiografitë e tij dhe letra që kishte lëshuar spitali ushtarak për daljen nga spitali. Përshendeti infermieret dhe u drejtua nga zyra e shefit të pavionit. Trokiti por nuk u përgjigj asnjë dhe dera ishte e mbyllur; u kthye e filloi të ecte drejt daljes së spitalit.
 Të nesërmen në mëngjes ishte sërish në zyren e tij, vendosi xhaketën e lëkurës në varse, nxorri nga xhepi cigaret dhe çakmakun e i vendosi mbi tavolinë. Në atë kohë trokitën në derë.
-Hyr  - e ftoi Agroni,.
Dera u hap dhe hyri një oficer me një dosje të zezë në dorë dhe tha:- Shoku Agron, është për ju,- dhe i zgjati dosjen.
Agroni e mori dosjen.
-E kishte lënë shoku Kadri për ju - i tha oficeri  i cili nderoi dhe u largua duke mbyllur derën pas tij.
 Agroni po shikonte dosjen, sipër ishte shkruajtur “sekret”. Agroni e vendosi në skrivani, spostoi karrigen dhe u ul, ndezi një cigare dhe hapi dosjen. Filloi të lexonte me kuriozitet,  dosja përmblidhte racat aliene që mendohej se vizitonin tokën, dhe për çdo lloj race ishin të përshkruara me vizatime.
  Agroni po lexonte mbi racën aliene që  identifikohej në bazë të ngjyrës  gri që ishte i ngjajshëm me vizatimet që ishin bërë në shpellën e Zanave dhe me vizatimet që kishte bërë ushtari, ishin gati e njejta fytyrë. Ishte i njejtë edhe në pikturën e Onufrit. Në raport jepej  një përshkrim i plotë mbi alienin ngjyrë gri.
 Agroni filloi të ndiente një avull të  nxehtë që i ngjitej në trup, dhe duart që i dridheshin nga emocioni. Po vazhdonte të  lexonte më poshtë. Alienët e tjerë që vizitonin tokën quheshin “reptilët amfibë”. Agroni lexonte dhe nuk i besonte syve, ishte i emocionuar. Shtrëngoi kokën me të dy  duart dhe lexonte raportin.  I vinte ndërmend krijesa që kishin gjetur në Nartë të Vlorës, dhe tani çdo gjë po merrte formë. Edhe në Shqipëri ekzistonin alienët, lexonte dhe nuk donte të besonte që edhe ai kishte pasur kontakt me alienët.

  Ndezi një cigare tjetër që të qetësohej, ndjehej euforik. Donte të bisedonte me dikë, t’i tregonte që ai kishte gjetur një alien në Nartë por e dinte shumë mirë që nuk mundej, çdo gjë që ai kishte parë nuk ekzistonte për të tjerët, mbyllej aty në atë dosje. Vazhdoi të lexonte...ishte një rus që i kishte parë në vitin 1965, ishte duke peshkuar peshkaqenë në Detin e Zi, ishte zhytur në një thellësi prej tetë metrash, kur pa që drejt tij po notonin disa kreatura gjigante, me ngjyrën e lëkurës të hapur, i’u afruan atij e përshëndetën dhe u larguan me shpejtësi. Agroni ishte i sigurtë që ishte e njejta kreaturë. Më poshtë po lexonte mbi alienët  që ishin të mëdhenj gati  dy metra e gjysmë, të paktën këto referonin fondet e informacionit. Ishin me sy të verdhë dhe trupin të mbuluar me peliçe si ariu. Agronit i erdhi ndërmend raporti i degës së Kukësit, ku oficeri e kishte përshkruar gati të njejtat  karakteristika fizike.

ufot fakismile

  Faksimile e shënime për alienët marrë nga një materiali Sigurimit të Shtetit

Krijesën e vrarë në kufi me Jugosllavinë…
U mbështet në karrige dhe po mendonte që duhet të fliste me Kadriun për shërbimin në Peshkopi, donte të shikonte nëse ishte e vërtetë, që ushtari kishte takuar një alien. Mbase arrinte dhe të komunikonte me të. I dukej sikur po çmendej, mbylli dosjen e mori dhe e vendosi në kasafortë.
-Më mirë  të mos e kisha lexuar këtë raport, më hoqi qetësinë,- mendonte dhe  i  dukej sikur jetonte në një dimension tjetër.
Atë natë gati nuk fjeti fare, sillte ndërmend të gjitha gjërat që kishin ndodhur, që nga vrasja në shpellen e Zanave...- Si kishte mundësi që i nisën të asgjësonin natën  ushtarakun rus të shoqëruar? Dhe  pse duhej të  shkatërronin shpellën me dinamit?- pyeste veten Agroni. Dikush duhet të dinte diçka më shumë.
 E zuri gjumi rreth orës 3.40 të mëngjesit. Të  nesërmen  nxitoi për të shkuar në zyrë siç nuk kishte nxituar herë tjetër. Hyri në zyrën e tij dhe shpejt vendosi një fletë kopiative midis dy fletëve të bardha dhe i fiksoi në makinën e shkrimit dhe filloi të shkruante kërkesën për shërbim në Peshkopi. Mbasi e mbaroi së shkruari tërhoqi fletët nga makina e shkrimit dhe filloi të lexonte mos kishte ndonjë gabim. Pastaj u ngrit dhe mori nga kasaforta raportin sekret mbi alienët  që i kishte dhënë Kadriu.  U nis të shkonte në zyrën e tij. Kur ngjiti shkallët ndaloi tek polici në hyrje të koridorit.
-Dua të takoj Kadriun-i tha Agroni policit, i cili ngriti dorezën e telefonit dhe foli me dikë.
-Mund të vazhdoni- i tha polici.
Agroni filloi të ecte në koridor e ndaloi përpara derës së zyrës së Kadriut, e cila ishte pak e hapur. Trokiti dhe derën e hapi Kadriu i cili sa e pa Agronin e përqafoi.
-Si je Goni?- e pyeti Kadriu, duke e vëzhguar me vëmendje.
 -Mirë Kadri faleminderit, më mirë! –i’u përgjigj Agroni, po më luajti  mendja nga ai  raporti që më dhe për alienët, s’kam fjetur gjithë natën, - i tha Agroni dhe në fytyrë dukej që ishte i lodhur.
 Kadriu mbylli derën dhe u drejtua nga Agroni:
- Edhe ti mos e merr kaq seriozisht, në raport nuk ka fotografi, vetëm disa  vizatime, janë përshkruar me hollësi por nuk ka dëshmi me foto apo  nuk duan, kushedi ???- dhe vazhdoi -fakti mbetet që ne kemi pasur takim real në Nartë të Vlorës me alienin e mbytur, nuk kemi fotografi por kemi trupin e alienit,-i’ u përgjigj Kadriu.
-Kadri, ka shumë sinjalizime që edhe në Shqipëri ka pasur takime me alienët por duke qenë  se njerëzit nuk kanë informacion është  më kollaj për ata të besojnë që është djalli,  pastaj dhe kush të beson? -i tha Agroni dhe prap vazhdoi, - prandaj të thashë dhe unë që të mos e marrësh shumë seriozisht, sepse ne të dy mund të flasim bashkë mbasi  kemi parë diçka, kurse të tjerët nuk e kanë idenë, që ekzistojnë gjëra që as nuk mund t’i imagjinojnë.
 Agroni lëshoi mbi tavolinë dy fletë  të shtypura  si dhe dosjen e filloi t’i tregonte Kadriut çfarë i kishte ndodhur në spital. Kadriu shtrëngonte mjekrrën me dorë dhe po e dëgjonte me vëmendje. Mbasi Agroni mbaroi së foluri, Kadriu e pyeti:
-Po ti mendon se mund të gjesh akoma diçka në atë shpellë?
-Nuk e di, po në qoftë se ushtari e takonte shpesh mund të jetë akoma aty -u përgjigj Agroni- do doja të shikoja nëse është e vërtetë, është  i pari person që ka kontakt direkt.
Kadriu filloi të lëvizte nëpër zyrë me duar në xhepa, dhe po mendohej: -Atëhere duhet të lajmërojmë spitalin që nesër në mëngjes ushtari të jetë gati- dhe  shtypi një buton që ndodhej sipër skrivanisë dhe nuk kaloi as një minutë trokitën në derën e zyrës.
-Hyr- i tha Kadriu dhe  dera u hap dhe hyri sekretari i tij.
-Do flasësh në telefon me spitalin ushtarak dhe të kërkosh shefin e repartit...thuaji që ushtari P.M. i trajtuar  në repartin e tij, të  jetë gati për nesër në orën 8.00. Do kalojë  një oficer i jonë t’a marrë me makinë dhe pasneser do t’a kthejme prapë-i tha Kadriu.
-Siurdhëron-i’ u përgjigj sekretari dhe mbylli derën.
 Kadriu firmosi fletët e shërbimit dhe njerën ja dha Agronit.
-Akoma nuk kemi ndonjë  te re për agresionin që  të bënë ty, një lloj ideje e kemi, po më duhen disa prova -i tha Kadriu.
-Epo unë po vazhdoj Kadri, flasim kur të kthehem nga shërbimi, shpresoj të kem çfarë të tregoj-i tha Agroni dhe filloi të qeshte.
-Të na dali me hajër, - i’u përgjigj Kadriu - dhe me kujdes !!!
 Agroni doli nga zyra e Kadriut dhe u nis për në zyrën e tij. Të nesërmen në orën 8.00 të mëngjesit ishin përpara spitalit ushtarak. Ushtari po i priste përpara derës së spitalit, Agroni i bëri shenjë që të vinte drejt makinës. Ushtari sa e pa u nis drejt makines me hapa të shpejtë,duart i kishte brenda në xhepat e kapotës dhe kapelen e mbante pak zhytur thellë në kokë. Mbasi ushtari hyri në makinë, u nisën  drejt Peshkopisë.
Mbasi kishin vazhduar rrugën për ndonjë orë, Agroni u kthye nga ushtari i cili ishte në sedilen mbrapa të makinës dhe i tha:
-Dëgjo ushtar, më vonë do arrijmë afër repartit ushtarak ku ti kryen shërbimin, nuk do ndalojmë aty, po do me çosh aty ku ti takon shejtanin --i tha Agroni dhe po priste përgjigje nga ushtari. Ky i fundit lëvizi dhe u mblodh sikur të kishte ftohtë.
-Unë të tregoj vendin dhe ti shko vetëm, - i’u përgjigj ushtari.
-Pa problem, nuk dua të vonohemi, vetëm  sa t’i hedh një sy vendit, pastaj kthehemi prapë për Tiranë-i’u përgjigj Agroni.
-Po nuk do më lini në repart?- pyeti ushtari i habitur.
-Jo, jo, do të kthejmë prapë në spital- i’u përgjigj Agroni.
 Ushtari nuk foli më. Ishte ora 19.15 minuta, kur makina la asfaltin dhe mori rrugën e pashtruar në drejtim të fshatit  Zerqan; makina lëkundej nëpër rrugën e pashtruar, ishte errësirë e plotë. Kur i’u afruan fshatit dëgjoheshin të lehurat e qenve dhe shikoheshin pak  drita  të dobta  shtëpish.
Ushtari i tregonte shoferit nga duhet të shkonte, makina filloi të ngjitej në një rrugë të hapur në shkëmb dhe fshatin e kishin lënë në krahun e djathtë; duke u ngjitur shikonin dritat e fshatit nga lart. Makina avash, avash po ngjitej dhe pas pak arriti në një pjesë të sheshtë, ushtari vazhdonte t’i tregonte shoferit rrugën. Vazhduan për  disa minuta rrugën,  kur dritat e makinës ndriçuan një pjesë shkëmbi dhe disa pemë.
-Ndalo këtu -i tha ushtari shoferit.
-Eshtë këtu afër - e pyeti Agroni ushtarin.
-Po, do ecim pak, po është afër-i ‘u përgjigj ushtari.
 Makina kishte ndaluar dhe shoferi fiku të gjitha dritat. Agroni mori elektrikun e dorës, i’a dha ushtarit t’a mbante,  mori pistoletën dhe e bëri gati.
-Hajde më trego rrugën- i tha Agroni ushtarit.
Të dy zbritën nga makina dhe Agroni po ndiqte ushtarin i cili ndriçonte rrugën me elektrikun e dorës; po ecnin avash në një shteg të ngushtë, në krahun e majtë dalloheshin gurët e shkëmbit kurse në krahun e djathtë drita ndriçonte ndonjë majë peme ose  shkurre  dhe ishte vetëm errësirë. Nata ishte pa hënë dhe kuptohet që ishte errësirë e plotë, po ishte dhe shumë qetësi, gjë që e çuditi Agronin. Dëgjonin vetëm hapat e tyre dhe në çast ushtari ndaloi.
-Çfarë ke?-e pyeti Agroni ushtarin me zë të ulët.
-Tani vazhdo ti, unë nuk vij me ty –i’u përgjigj ushtari.
-Më prit këtu ,-i tha Agroni.
 Ushtari la të kalonte përpara tij Agronin, i dha elektrikun e dorës.
- Nuk është larg-  i tha ushtari Agronit gati duke pëshpëritur,- mbas disa metrash do gjesh hyrjen e shpellës-vazhdoi ushtari.
 Agroni  shtrëngoi pistoletën në dorën e djathtë kurse në dorën e majtë kishte elektrikun e dorës. Filloi të ecte avash, zemra filloi t’i rrihte me fort.
-Po sikur të jetë e vërtetë -mendoi me vete Agroni, u mbush me frymë thellë e vazhdoi të ecte me kujdes. Filloi të frynte pak erë  e lëvizte majat e shkurreve. Mbas disa metrash u gjend përpara hyrjes së shpellës. Filloi t’a ndriçonte hyrjen dhe drejtoi fashën e dritës në brendësi të shpellës, ndriçoi dyshemenë  po nuk pa asgjë të veçantë, duhet të ishte nga ato shpella që i përdorin çobenjtë për delet në behar. Filloi të rrëshqiste dritën nëpër muret e shpellës, po asgjë.
-Ehh, ç’më pruri budallai deri këtu -foli me vete Agroni, por  në momentin që ngriti fashën e dritës nga dyshemeja,  pa përballë tij ku ishte një kokë e madhe me dy  sy të mëdhenj të errët që po e shikonin.
 Agroni ulëriti nga frika e u spostua mbrapsht, elektriku i ra nga dora e u fik po Agroni drejtoi pistoletën në drejtimin të kreaturës dhe filloi të qëllonte. Mbasi  kaluan disa sekonda, u ul të kërkonte elektrikun e dorës, filloi të prekte dyshemenë me dorë.
-Ku dreqin është-  filloi të fliste Agroni me vete, zemra i rrihte me tërbim.
 Dora i kapi diçka të qullët. Agroni  kërceu në këmbë e filloi prapë të qëllonte në atë drejtim. Këmba i shkeli diçka, duhet të ishte elektriku i dorës, u ul me shpejtësi, e mori me duart që i dridheshin dhe e ndezi, përtokë ishte e shtirë krijesa me një lëng  të bardhë që i dilte nga koka e trupi. Agroni filloi të kthente me shpejtësi rreth e rrotull dritën se mos kishte të tjerë,  një dritë e fortë që vinte nga lart ndriçoi komplet hyrjen e shpellës dhe zhurma e erës që ngrinte gjethe e pluhur në ajër.

libri

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit