Një trung peme rreth 8 metra i gjatë është gjetur brenda kolektorit kryesor të ujërave të zeza në Bulevardin e Kasharit. Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet e nxjerrjes së trungut, duke shkruar se ishte shkaku kryesor i problemeve me kanalizimet në zonë.

Rama shkruan se prej më shumë se 10 vitesh, sa herë kishte reshje, ujërat e zeza dilnin në bulevard dhe përhapeshin në lagjet përreth. Pavarësisht ndërhyrjeve të kryera ndër vite, shkaku nuk ishte zbuluar.

Kryeministri thotë se vetëm pas kontrollit të kolektorit me kamera të posaçme nëntokësore u konstatua trungu i pemës, i shtrirë brenda tubacionit dhe që pengonte kalimin e ujërave.

Sipas Ramës, kolektori ishte ndërtuar nga ish-Komuna e Kasharit, përpara reformës territoriale. Ai e solli rastin edhe si argument për nevojën e reformës, duke thënë se probleme të tilla janë pasojë e mënyrës se si menaxhoheshin më parë njësitë vendore. Trungu tashmë është nxjerrë dhe kolektori është zhbllokuar.

“NJË PEMË 8 METROSHE U ZBULUA E “VARROSUR” NË KOLEKTORIN E UJËRAVE TË ZEZA

Për më shumë se një dekadë, sa herë binte një shi sado i shkurtër, ujërat e zeza merrnin mbarë bulevardin e Kasharit dhe shpërthenin nëpër lagje. Preventiva, ndërhyrje, rindërhyrje të pasuksesshme derisa dje u zbulua shkaku i vërtetë dhe i pabesueshëm i bereqetit të zi që sillte shiu sa herë binte mbi Kashar, ku përpara Reformës së Parë Territoriale, Komuna e Kasharit, një bastion krenar i demokratëve, ndërtoi kolektorin kryesor të ujërave të zeza në Bulevardin e Kasharit.

Kamerat speciale nëntokësore hynë brenda në kolektor dhe gjetën aty atë që zor se mund ta kapte edhe fantazia më e shfrenuar: Një trung peme 8 metrosh i shtrirë brenda tubit kryesor të ujërave të zeza

Pra gjatë punimeve, një çinar i madh, 8 metra i gjatë që gjendej atypari, u pre dhe, në vend që të largohej nga kantieri, u “varros” brenda kolektorit!

Se çfare u tha mendja atyre që e urdhëruan dhe e zbatuan këtë veprim kriminal vetëm Zoti e di, por kjo është edhe një kujtesë shumë konkrete për të gjithë ata që kanë harruar pse Shqipërisë i duhej Reforma Territoriale.

Sot pema është nxjerrë. Kolektori është çliruar. Dhe banorët e Kasharit nuk do ta kenë më taksiratin e faturës së një poshtërsie kriminale si ajo që i torturoi për më shumë se dhjetë vjet.

Shqipëria e re nuk është vetëm Europa e Ballkanit që po ndërtojmë, po edhe ajo që zbulon, pastron dhe korrigjon deformimet e mbetura ende në rrugën tonë nga Gropa e Zezë e Ballkanit që ky vend ishte kur ne morëm detyrën”, shkruan Rama.