Më datë 27 shtator në Gjykatën e Shkallës së Parë të kryeqytetit ka mbërritur një padi civile, sipas të cilës rezulton se Banka e Shqipërisë nuk ka paguar faturën e konsumit të ujit të përdorur gjatë muajit qershor të vitit 2012, si dhe për muajt nga gushti i vitit të kaluar deri në korrik të këtij viti. UKT duket se është treguar mjaft i duruar për të kaluar në proces gjyqësor Bankën qendrore, ndërkohë që sipas kontratës mjaftojnë disa muaj për të të ndërprerë lidhjen.
Në padi kërkohet lëshimi i urdhërit të ekzekutimit për faturat, që konsiderohen si një titull ekzekutiv, për BSH, që konsiderohet si “debitori Banka e Shqipërisë, me adresë Rr. 4 shkurti, për detyrimet që rrjedhin nga kontrata nr. 159745-1”.
Derisa puna ka mbërritur në Gjykatë, situata duket krejtësisht anormale. Është shumë e vështirë të mendohet se Banka e shtetit shqiptar të mos ketë para sa për të paguar faturat e ujit, për më tepër për një vit e më. Ky institucion nuk ka refuzuar të blejë Hotel Dajtin për një shifër marramendëse prej 30 milionë eurosh, jo se i nevojitej, por kur një gjë të tillë e ka kërkuar dyshja Berisha-Bode, e ndodhur përpara një arke të boshatisur nga shpërdorimet financiare. Sot e kësaj dite, si një shembull i gjallë i një blerjeje pa pikë vlere, hoteli mbetet si gërmadhë, e paprëkur nga askush, duke humbur çdo ditë vlerë.
Pak kohë më parë, është publikuar një raport auditi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, që konstatonte, i skandalizuar, shifrat jashtëzakonisht të larta të pagave, shpërblimeve dhe dietave, që drejtuesit e Bankës i caktonin vetes. Kontrolli i Lartë i Shtetit i kërkoi Kuvendit të ndërhyjë për të disiplinuar financiarisht Bankën Qendrore, teksa e akuzon këtë të fundit për shpenzime të larta dhe abuzime me paratë publike. Konstatohet se pagat dhe shpërblimet për drejtuesit e Bankës së Shqipërisë, Këshillit Mbikëqyrës, por edhe punonjësve të thjeshtë, janë në nivele të pakrahasueshme me asnjë institucion tjetër kushtetues.
Sipas raportit, nivelet e dietave ditore për Guvernatorin, dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës janë sa dyfishi i dietave që përfiton kryeministri dhe 60 euro në ditë më shumë se ajo e presidentit të Republikës. Pavarësisht vitit të vështirë ekonomik që kaloi vendi, sipas raportit, rezulton se shpenzimet e Bankës Qëndrore janë rritur me 30% duke shkuar ne 14 milionë dollarë. Megjithatë, guvernatori Fullani nuk gjen para sa të paguajë faturat e ujit.
(Faksimile e regjistrimit të padisë civile kundër Bankës së Shqipërisë për mospagesë të faturave të ujit)
Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.02.10.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)