Banorët e lagjes periferike “Xhevdet Nepravishta” në Lushnjë ankohen për cilësinë e ujit që u vjen në çezmat e banesave, duke thënë se nuk e përdorin për të pirë dhe as për gatim, pasi dyshojnë se është i ndotur.
“Nuk pimë ujë nga rubineti, sepse vjen i ndotur”, shprehet një banore e zonës.
Të njëjtin shqetësim ndan edhe një tjetër banore, e cila thotë se nuk e përdorin asnjëherë ujin e çezmës për të pirë. Ajo ngre shqetësimin edhe për koston e blerjes së ujit, duke theksuar se kjo është veçanërisht e vështirë për familjet me të ardhura të ulëta.
“Nuk e pimë asnjëherë, sepse është i ndotur. Përderisa po bëhen riparime andej-këtej, edhe uji vjen i papastër. Edhe uji që blejmë në shishe është i shtrenjtë. Varet edhe sa ujë konsumon në shtëpi. Dikush ka pension të ulët, dikush nuk punon, kështu që është e vështirë”, thotë ajo.
Një banor tjetër tregon se uji nuk përdoret as për lavatriçe, pasi sipas tij nuk është i pastër. Për gatim dhe për të pirë, familjet detyrohen të blejnë ujë në dyqane.
“Uji që vjen në çezmë nuk është i pastër dhe nuk përdoret as për lavatriçe. E lëmë të rrjedhë për pak kohë dhe më pas e përdorim. Për gatim blejmë. S'ke çfarë bën, për të pirë do ta blesh në dyqan, shprehet banori.
Gjithashtu një banor i po asaj zone thotë se ujin e rubinetit e përdorin vetëm për larje, ndërsa për konsum zgjedhin ta blejnë, pasi nuk kanë besim te cilësia e tij.
“Jo, për gatim nuk e përdorim, por për të larë po. Për të pirë nuk e përdorim, blejmë ujë, sepse nuk dihet si vjen. Edhe të tjerët këtë përgjigje do të të japin: uji nuk është i pijshëm”, shprehet ai.
Lajmi kryesor:
Lushnjë/ Uji shkon i ndotur në çezmat e banorëve pas defektit në tubacion, banorët: Vjen me erë të rëndë! Ujësjellësi: U zhvendosën aluvionet (VIDEO)









