Ukraina vijon strategjinë e saj me goditjen në rreze të gjatë të Rusisë duke lëshuar drone në distanca të largëta nga kufiri.

Rastet e fundit u konfirmuan nga Presidenti I Ukrainës Volodymir Zelensky që shpërndau pamje të dëmeve të shkaktuara në sulmet gjatë natës dhe në orët e para të kësaj të mërkure. Sipas tij u goditën objektiva të rëndësishëm në rajonet ruse të Krasnodarit dhe Stavropolit, qendra logjistike të përfshira në furnizimin e ushtrisë ruse me komponentë për dronë, pajisje navigimi dhe mjete të tjera ushtarake si edhe një depo tjetër nafte.

Në një hap të fortë ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi shkarkimin e Oleksandr Syrskyt nga posti i komandantit të përgjithshëm të ushtrisë ukrainase dhe emërimin në vend të tij të komandantit të Forcave të Përbashkëta, Mykhailo Drapatyi. Vendimin Zelensky e konfirmoi në një videomesazh të shpërndarë edhe në rrjete sociale, duke lënë të kuptojë se ka përmbushur një kërkesë të disa protestave të kohëve të fundit në Kiev.

Presidenti ukrainas tha këtë të mërkurë se strategjia e ndërmarrë së fundmi nga Ukraina do të risjellë Moskën në tryezën e negociatave.

Sa u takon bisedimeve një takim i rëndësishëm u konfirmua nga ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Shefi i diplomacisë ruse, njoftoi se nesër në Manila do të zhvillojë një takim me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio. “Dje u takuam shkurtimisht me Marco Rubion gjatë një pritjeje dhe konfirmuam se takimi do të zhvillohet nesër në mëngjes", deklaroi Lavrov.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, deklaroi se do ta pyesë sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, se sa realiste janë parashikimet e presidentit Donald Trump për afrimin e një zgjidhjeje të krizës në Ukrainë.

Takimi vjen vetëm disa pasi presidenti amerikan konfirmoi nga Turqia në samitin e NATO-s se i ka premtuar Ukrainës të prodhojë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot.

Të dy krerët e diplomacisë amerikane e ruse ndodhen në Manila të Filipineve në një konferencë që ka mbledhur ministra të Jashtëm nga Azia Juglindore dhe vende të tjera të botës.