KIEV - Kievi dënoi sot një vendosje të pajisjeve të rënda dhe trupave të ardhur nga Rusia në lindjen rebele të Ukrainës në një kohë që separatistët po zhvillojnë zgjedhjet.
"Ka një vendosje të pajisjeve të rënda dhe trupave armike që prej territorit rus drejt territorit të kontrolluar nga rebelët", deklaroi sot një zëdhënës ushtarak ukrainas, Andri Lyssenko në një konferencë shtypi.
Ai u pyet për imazhet video të publikuara nga media ukrainase në të cilat shihen dhjetëra kamionë ushtarakë pa targa të paraqitura si kolona ruse në rrugën e Donetskut, bastion rebel.
Disa gazetarë perëndimorë njoftuan një ditë më parë se kishin vërejtur lëvizje të trupave pranë Donetskut.
Rusia, akuzuar nga Kievi dhe perëndimorët për armatosjen e rebelëve në lindje të Ukrainës dhe vendosjen e trupave , ka përgënjeshtruar gjithmonë çdo përfshirje në konflikt që ka shkaktuar më shumë se 4 000 të vdekur që prej mesit të muajit prill./ATSH/