Ndërprerje të energjisë elektrike në të gjithë rajonet e Ukrainës për shkak të një tjetër sulmi masiv rus me raketa dhe dronë gjatë natës që synonte infrastrukturën energjitike. Forcat ruse goditën disa termocentrale në rajone të ndryshme të Ukrainës, tha kompania më e madhe private e energjisë në vend.
Sipas autoriteteve, ky është sulmi i tretë i madh ndaj termocentraleve brenda një muaji. Alarme për sulme ajrore u lëshuan në të gjithë vendin gjatë natës, ndërsa Forcat Ajrore të Ukrainës që gjurmuan dronë të tipit Shahed, raketa kruz dhe balistike, si dhe raketa hipersonike Kinzhal.
Ndërkohë, Rusia po monitoron me kujdes çdo shkelje të mundshme të moratoriumit ndërkombëtar mbi testet bërthamore dhe do të veprojë në përputhje nëse ato ndodhin. Këtë e theksoi sot zëdhënësi i presidencës ruse, Dmitri Peskov.
'Shtetet e Bashkuara janë një vend sovran, kanë të drejtë të marrin vendime sovrane. Nëse braktiset moratoriumi, Rusia do të veprojë', tha ai.
Teksa sulmet vijojnë, në Zaporizhzhia ndërtesat e banimit u dëmtuan dhe 11 persona, përfshirë gjashtë fëmijë, u plagosën si pasojë e sulmit rus gjatë natës. Një grua 36-vjeçare u plagos në Boryspil si pasojë e sulmit me dron, thaë autoritetet, duke shtuar se një zjarr shpërtheu në një shtëpi dhe ndërtesa banimi u dëmtuan. Shpërthime u raportuan edhe në rajonet Khmelnytskyi dhe Ivano-Frankivsk, larg vijave të frontit në Ukrainën perëndimore.
Rusia vazhdon t'i shënjestrojë rregullisht qytëetet dhe infrastrukturën kritike të Ukrainës në sulme me dronë dhe raketa. OKB, në një raport, akuzoi Moskën për spastrim etnik duke përdorur dronët ndaj civilëve dhe duke i detyruar ata të largohen nga shtëpitë e tyre pranë vijës së frontit.
Lajm ne perditesim..
Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Oleksandr Syrsky, vizitoi zonën e Pokrovskut dhe Myrnohrad-it, aktualisht objektivat kryesore të ofensivës ruse.
"Situata është komplekse, por pretendimet e propagandës ruse për 'rrethimin' e supozuar të Forcave të Mbrojtjes së Ukrainës në Pokrovsk, si dhe në Kupyansk, janë të pavërteta. Ne po punojmë për të forcuar qëndrueshmërinë e mbrojtjes në sektorin e Pokrovskut. Elementet kryesore janë bashkëveprimi me cilësi të lartë midis njësive, sigurimi i gjithçkaje që u nevojitet, duke përfshirë nevojat shtesë, dhe ekzekutimi i saktë dhe i koordinuar i detyrave të caktuara. I kam paralajmëruar ashpër komandantët kundër papërgjegjshmërisë. Do të marr masa të ashpra për këtë qëllim, përfshirë shkarkimin", tha Syrsky.
Rusia po monitoron me kujdes çdo shkelje të mundshme të moratoriumit ndërkombëtar mbi testet bërthamore dhe do të veprojë në përputhje nëse ato ndodhin. Këtë e theksoi sot zëdhënësi i presidencës ruse, Dmitri Peskov, gjatë një konference për shtyp, duke komentuar deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump dhe direktivën e tij ndaj Pentagonit për testimin e armëve bërthamore amerikane.
“Shtetet e Bashkuara janë një vend sovran, kanë të drejtë të marrin vendime sovrane,” – tha Peskov. “Por dua të kujtoj deklaratën e presidentit Vladimir Putin, e përsëritur disa herë, sipas së cilës, nëse dikush e braktis moratoriumin, Rusia do të veprojë në përputhje me këtë.”
“Shpresojmë që, sa i përket testeve të Burevestnik dhe Poseidon, informacionet t’i jenë transmetuar saktë presidentit Trump. Në kuptimin që këto në asnjë mënyrë nuk mund të interpretohen si teste bërthamore,” – deklaroi zëdhënësi i Putinit, Dmitri Peskov.

Një avion luftarak polak MiG-29 interceptoi një avion zbulues rus mbi Detin Baltik, incidenti i dytë i tillë këtë javë, njoftoi Ministri polak i Mbrojtjes Wladyslaw Kosiniak-Kamysz.
Dje, ushtria polake njoftoi se të martën avionët luftarakë polakë kishin interceptuar gjithashtu një avion rus që fluturonte në një mision zbulues në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Detin Baltik, pa një plan fluturimi të paraqitur dhe me transponderin e tij të fikur.
"Sot, MiG-29 interceptuan një avion zbulues rus mbi Detin Baltik", tha Kosiniak-Kamysz, duke e përshkruar incidentin si identik me atë të së martës dhe pa dhënë detaje të mëtejshme.
Vendet në krahun lindor të NATO-s kanë qenë në gatishmëri të lartë për ndërhyrje të mundshme në hapësirën ajrore që nga shtatori, kur tre avionë luftarakë rusë shkelën hapësirën ajrore të Estonisë për 12 minuta, vetëm disa ditë pasi më shumë se 20 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore polake.
Sanksionet kundër kompanive ruse të naftës po funksionojnë dhe Moska rrezikon humbje deri në 50 miliardë dollarë në vit. Kjo është ajo që pretendoi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një postim në X, duke thënë se kishte marrë vlerësime paraprake të inteligjencës mbi ndikimin e sanksioneve të reja të partnerëve tanë kundër makinës ruse të luftës."
"Sanksionet kundër kompanive të naftës tashmë po i shkaktojnë humbje të konsiderueshme Rusisë. Ne presim që, nëse presioni i vazhdueshëm mbi Moskën vazhdon, humbjet vetëm nga masat e vendosura së fundmi do të arrijnë në të paktën 50 miliardë dollarë në vit."
Zelensky është i bindur se "partnerët do të ndërmarrin gjithashtu sanksione të mëtejshme: ne tashmë po marrim sinjale të tilla", dhe më pas siguroi se "vëllimet e naftës të furnizuara në tregun global nga shtetet arabe me siguri mund të parandalojnë çdo destabilizim ose rritje të çmimeve për të cilën rusët po flasin për të mbjellë frikë".
"Ne gjithashtu kemi filluar një shkëmbim të rregullt të të dhënave me vendet kryesore në lidhje me individët dhe programet ruse që duhet të sanksionohen. Dhe partnerët po shqyrtojnë një pjesë të konsiderueshme të propozimeve tona. Jam mirënjohës për këtë", përfundoi presidenti ukrainas.
"Masat në lidhje me flotën ruse të naftës, të cilat i diskutuam me udhëheqësit evropianë gjatë takimit të Koalicionit të Vullnetit të javës së kaluar, duhet gjithashtu të zbatohen plotësisht."
Presidenti amerikan Donald Trump u bëri thirrje drejtuesve ushtarakë të SHBA-së që të rifillojnë testimet e armëve bërthamore, me arsyetimin se vendi duhet të qëndrojë në të njëjtin nivel me programet bërthamore të Rusisë dhe Kinës.
“Për shkak të programeve të testimeve të vendeve të tjera, kam udhëzuar Departamentin e Luftës që të nisë testimet e armëve tona bërthamore në të njëjtën bazë,” shkroi Trump në rrjetet sociale, pak para takimit me presidentin kinez Xi Jinping në Korenë e Jugut.
Trump theksoi se SHBA ka më shumë armë bërthamore se çdo vend tjetër në botë, me Rusinë në vend të dytë dhe Kinën “shumë më poshtë”. Shtetet e Bashkuara nuk kanë kryer asnjë test bërthamor që prej vitit 1992.
Deklarata e tij vjen vetëm disa ditë pasi kishte dënuar Rusinë për testimin e një rakete me energji bërthamore, e cila raportohet se ka rreze të pakufizuar veprimi.
Në postimin e tij, Trump pranoi “fuqinë shkatërruese të jashtëzakonshme” të armëve bërthamore, por shtoi se nuk kishte “asnjë zgjedhje tjetër” veçse të modernizonte arsenalin amerikan gjatë mandatit të tij të parë. Ai shtoi gjithashtu se programi bërthamor i Kinës “do të arrijë në të njëjtin nivel brenda pesë vitesh”. Trump nuk dha detaje se si do të zhvillohen testimet, por theksoi se “procesi do të nisë menjëherë”.
Ky veprim përbën një kthesë të fortë nga politika e kahershme amerikane, e cila kishte ndaluar testimet që prej vitit 1992, kur ish-presidenti George H. W. Bush shpalli moratoriumin pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.
Komente










