Ambasada e Ukrainës në Tiranë ka zhvilluar një ceremoni përkujtimore për të nderuar viktimat nga sulmet ruse si dhe për të shprehur solidaritet, në 4-vjetorin e nisjes së luftës.

Në ceremoni mori pjesë edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili kujtoi momentin shokues kur mësoi për lajmin. Ai tha se asnjë marrëveshje s’mund të jetë e besueshme pa Ukrainën, ndërsa pretendimet e Rusisë i cilësoi kontradiktore.

Gonzato nënvizoi rëndësinë e paqes jetëgjatë në Ukrainë dhe mbështetjen e BE për garantimin e llogaridhënies. Ai vlerësoi rezistencën e popullit ukrainas dhe falënderoi Shqipërinë për mbështetjen.

“Kjo ishte një ditë që e mbaj mend shumë mirë. Në shok dhe në mosbesim dëgjuam lajmin. Pas katër vitesh luftë jemi të vendosur që të shikojmë më tej, në vitin 2026 ku agresioni rus do të marr fund. BE është i vendosur, kërkon paqe në Ukrainë, paqe afatgjatë. Ndërkohë që Ukraina ka demonstruar vazhdimisht dëshirën për paqe, Rusia ka kundërshtuar. Më lejoni të them që asnjë marrëveshje nuk mund të jetë e besueshme pa Ukrainën. Paqja duhet të jetë e drejtë, e gjatë dhe me afate të gjata sigurie. Pretendimet e Rusisë janë kontradiktore, që kërkojnë paqe, teksa ata sulmojnë infrastrukturën ukrainase, ne nuk mund t’iu japim një fitore.

Paqja dhe integriteti janë angazhime thelbësore për sigurinë e të gjitha shteteve. Nëse agresioni normalizohet, integriteti territorial bëhet i negociueshëm. Një paqe e gjatë në Ukrainë është kritike. Llogaridhënia për vuajtjet duhet të jetë gjithashtu e rëndësishme. Bashkimi Europian do të vazhdojë që të mbështesë përpjekjet për të garantuar llogaridhënien, gjithashtu do të ketë presion diplomatik, derisa paqja të jetë e sigurt. Populli ukrainas po tregon rezistencë heroike. Ukrainasit meritojnë mbështetjen tonë të plotë. Falënderojmë Shqipërinë për mbështetjen, është e rëndësishme që në këto kohë vendet e BE dhe ata në rrugën e integrimit të tregojnë unitet në veprime dhe qëllime. Është koha që të mos hezitojmë në promovimin e rregullave tona të përbashkëta”, tha Gonzato.

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov tha se vendi i tij po reziston falë forcës dhe ndihmës nga partnerët amerikanë e europianë, ndërsa alënderoi në vecanti edhe Shqipërinë. Shkurov u shpreh se Ukraina kërkon paqe afatgjatë dhe mbështetja e aleatëve tregon se duhet të veprojë ligji ndërkombëtar.

“Si rezultat të sulmeve masive, qytete të tëra kanë mbetur pa energji. Njerëz të moshuar, fëmijë, po rrinë në kushte çnjerëzore. Spitalet po qëndrojnë me gjeneratorë. Ne qëndrojmë falë forcës sonë, mësuesve që po mësojnë fëmijët nën strehimet e bombave. Ne rezistojmë falë një shoqërie, kjo është ndërgjegjja e njerëzve që kanë zgjedhur demokracinë. Ne rezistojmë sepse nuk jemi vetëm, falënderojmë ata që na kanë ndihmuar me ushtrinë, ndihma ekonomike. Kjo mbështetje shpëton jetë. Mirënjohje për qeverinë dhe shqiptarët, partnerët tanë të besueshëm që e dinë mirë çmimin e lirisë. Falënderoj miqtë tanë amerikanë dhe evropianë. Mbështetja konsistente dërgon një mesazh që lufta duhet të ndalojë dhe ligji ndërkombëtar duhet të veprojë. Ukraina nuk kërkon një kompromis apo konflikt të ngrirë, por paqe afatgjatë dhe ndaj ne duam paqe në siguri të vërteta garancie. Sot do doja t’i drejtohesha ukrainasve që jetojnë këtu, le të kujtojmë që jemi një pjesë e pandashme këtu. Mirënjohje mbrojtësve të atdheut tonë, ata që kanë dhënë jetën për lirinë ukrainase”, tha Shkurov.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:08
Përkujtohet 4-vjetori i nisjes së luftës, Ristani: Tirana qëndron me Ukrainën, ashtu siç ka qëndruar që nga dita e parë

1771942211_gonsato.jpeg

Foto: Anuela Ristani gjatë ceremonisë përkujtimore

Përpara Bashkisë së Tiranës u zhvillua sot ceremonia përkujtimore me rastin e 4-vjetorit të nisjes së sulmeve ndaj Ukrainës ku kanë humbur jetën shumë njerëz. Në këtë aktivitet morën pjesë Kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, si dhe Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov.

Në fjalën e saj, Kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, theksoi dimensionin emocional dhe simbolik të këtij përvjetori.

 “Është pothuajse e pabesueshme që e bëjmë këtë për të katërtin vit radhazi dhe është njëkohësisht po aq prekëse sa ç’ishte në vitin e parë. Është një nga ato momente ku bëhemi bashkë, por në të njëjtën kohë, të gjithë dëshirojmë të mos mblidhemi përsëri për këtë arsye”, deklaroi Rsitani. Ajo nënvizoi se, pavarësisht sfidave globale dhe lodhjes së përgjithshme, Tirana mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj. “Në këtë kohë lodhjeje dhe dekurajimi të vërtetë, mes vëmendjeve të shpërndara në shumë kriza globale e lokale, ne ende duam të theksojmë se Tirana qëndron me Ukrainën, ashtu siç ka qëndruar që nga dita e parë.

Jo vetëm Tirana, por të gjithë ata që mbështesin drejtësinë, lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Tirana është ende këtu, Shqipëria qëndron këtu për të gjithë ata që në çdo mënyrë mund të ndihmojmë dhe në çdo mënyrë që mund të mbështesim. Edhe nëse zhurma bëhet më e madhe, ne do të bërtasim me zë edhe më të lartë për drejtësi, për të bërtitur për atë që është e drejtë dhe atë që i detyrohemi popullit ukrainas. Faleminderit të gjithëve që erdhët, është vërtet bukur dhe prekëse t'ju kemi këtu, siç ishit këtu që nga dita e parë”, përfundoi Ristani.