KIEV - Ukraina mban frymën një ditë para zgjedhjeve legjislative të parakohshme, gjatë të cilave pro-perëndimorët synojnë të riforcojnë pushtetin e tyre, në sfondin e krizës në Lindjen separatiste proruse.
"Ne do të zgjedhim më në fund një Parlament pro-Ukrainës dhe jo pro-Moskës, të vendosur për të luftuar korrupsionin në vend", deklaroi presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, në mbyllje të fushatës zgjedhore.
Zgjedhjet po zhvillohen në një periudhë shumë të vështirë për këtë ish-republikë sovjetike që ndodhet në portat e Bashkimit Evropian. Ajo humbi në muajin mars Krimenë, aneksuar në Rusi pas një referendumi që nuk njihet nga perëndimorët dhe pas përballjes me një kryengritje të armatosur proruse në rajonin minerar të Donbasit. Luftimet mes forcave të Kievit dhe kryengritësve prorusë kanë shkaktuar të paktën 3 700 të vdekur që prej mesit të muajit prill, sipas OKB-së.
"Më shumë se 824 000 persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës", sipas Komisariatit të Lartë për Refugjatët në OKB (HCR): 430 000 persona janë larguar brenda vendit, 387 000 janë larguar në Rusi dhe 6 600 kanë kërkuar azil në BE.
Procesi i paqes i ndërmarrë nga presidenti, Petro Poroshenko nuk mundësoi përfundimin e plotë të luftimeve mes ushtrisë dhe separatistëve, që kontrollojnë një pjesë të rajoneve të Donetskut dhe Luganskut, që po bëhen gati të organizojnë zgjedhjet e tyre më 2 nëntor.
Për herë të parë në historinë e Ukrainës post-sovjetike, parlamenti do të jetë i dominuar gjerësisht nga pro-perëndimorët për shkak të rritjes së ndjenjës antiruse./ATSH/