TIRANË- Ndonëse Ukraina ndodhet prej një jave nën pushtimin rus, shpresa e popullit për të mos u dorëzuar është më e gjallë se kurrë. Ukrainasja Iryna Romanova që jeton në Shqipëri ka rrëfyer për Report Tv përjetimet e saj nga sulmi dhe vuajtjet që po përjeton familja e saj që ndodhet në Ukrainë.
Iryna Romanova jeton në vendin tonë me bashkëshortin shqiptar dhe djalin, ndërsa tregon se familja e saj ka refuzuar të largohet nga Ukraina, por do të luftojnë. Në ‘Studio Live’ me gazetarët Arbër Hitaj dhe Migena Sotiri, ajo thotë se miqtë e saj kanë përcjellë bashkëshortet dhe fëmijët për në Poloni dhe i janë bashkuar ushtrisë ukrainase. Ajo thotë se Ukraina nuk do të dorëzohet se është një popull i lirë dhe nuk mund të jetojnë në pushtetin e Vladimir Putin.
“Familja ime ndodhet në Ukrainë. Siç kam folur me mamin, tha se nuk do largohem. Nuk do, ajo thotë se është tradhti e vendit. Ajo thotë përderisa ti dhe nipi im janë të sigurt. Thotë po të kishim qenë ne në Ukrainë do kishim bërë çmos për t’iu shpëtuar ju. (...) Në rrethin tim, shokë miq, disa që janë në Kiev kanë përcjell gratë dhe fëmijët në kufi me Poloninë dhe po kthehen në Kiev për t’iu bashkuar forcave ushtarake ukrainase. (...) Ne kemi një shprehje, ne jemi popull i lirë dhe liria është diçka, o të vdes, o të jem ilirë. Nuk mund të jetojmë në pushtetin e tjetrit”, tha Romanova për Report Tv.
Pas transmetimit të spotit solidarizues të Report Tv për luftën në Ukrainë, Romanova e ‘mbytur’ nga emocionet thotë se pamjet që vijnë nga Ukraina të prekin shpirtin. Romanova shprehet se ata do ta gjejnë sërish forcën për t’i ringritur ndërtesat më të bukura, por gjurma dhe dhimbja që do lërë lufta tek qytetarët ukrainas nuk do të fshihet më.
“Më kuptoni drejt çfarë dua ta them. Ato ishin pamje prekëse të ndërtesave. Pamje prekëse të fëmijëve që janë në bodrum. Pas gjithë këtyre ditëve që po ndodh kjo luftë unë e kam krijuar një lloj imuniteti ndaj shkatërrimit të ndërtesave, por të shikoni disa video, ndoshta pastaj do ua tregoj juve sepse nuk duhen transmetuar, janë pamje sesi vdes fëmija 6 vjeç nga lufta, aty nuk mban më shpirti, aty është e pamundur të mbijetosh. Nuk e kuptoj për çfarë, se ne donim të jetonin si donim ne. Se një skizofren e ka vendosur se si duhet të jetojmë ne në vendin tonë, në shtëpinë tonë, se na urren ne si popull. Putini është skizofren, nuk është njeri. Ne ndërtesat do i rindërtojmë, sheshet më të bukura, parqet më të lulëzuara, por jetën e njerëzve, fëmijët tanë që e dinë dhe nuk do e harrojnë kurrë se çfarë është zhurma armëve. Tani e kuptojnë diferencën kur janë raketat ruse dhe kur janë sulmet ukrainase. Një fëmijë duhet të dijë vjershën jo zhurmën e armëve”, vijoi ajo.
Romanova kishte një mesazh edhe për shqiptarët, ku tha se ata duhet ta ngrenë zërin, pasi çdo zë ka fuqi.
“Për gjithë shqiptarët që na ndjekin, mos mendoni që dikush që është i vogël nuk ka fuqi, çdo zë ka fuqi. Shteti im ka treguar sesado i vogël përballë një ariu rus gjigand prapë mund të luftojë. Historia jote ka treguar që ju jeni shtet i vogël por keni shpirt. Çdo zë ka rëndësi sado i vogël, shpirti nuk thyhet kurrë”, u shpreh Romanova.