KIEV - Ukraina nuk do të lejojë që të kalojë në territorin e saj karvanin humanitar rus që është nisur drejt kufirit, deklaroi sot zyrtari i lartë i presidencës ukrainase, Valeri Tchaly.
"Ne nuk e gjykojmë të mundshme vendosjen e karvanit rus në territorin ukrainas. Kjo ngarkesë mund të kalojë kufirin ukrainas dhe të ringarkohet në automjetet e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Ne nuk do të pranojmë që ndihmat ruse të shoqërohen nga Ministria ruse e Situatave Urgjente apo nga ushtarakët rusë", njoftoi Tchaly gjatë një konference për shtyp.

Një karvan rus me ndihma humanitare i përbërë nga 280 kamionë është nisur sot drejt Ukrainës për të ndihmuar popullsitë viktima të luftimeve në lindje të vendit, sipas medias ruse, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme perëndimore kundrejt një ndërhyrje të njëanshme ruse tek fqinjët e saj.
"Ne nuk e dimë se çfarë ka në këta kamionë", deklaroi Tchaly.

Sipas tij, ky karvan duhet t'i dorrëzohet Kryqit të Kuq në pikën kufitare mes rajonit të Belgorod (Rusi) dhe Kharkiv (lindje të Ukrainës, nën kontrollin e qeverisë së Kievit)./ATSH/.