Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko përshëndeti sot një armëpushim të vërtetë në Ukrainë pas 24 orëve pa incidente, për herë të parë në shtatë muaj, duke pranuar dhe situatën e brishtë.
"Kam informacione pozitive. Sot shënohen 24 orët e para që prej shtatë muajsh (...) gjatë të cilave kemi pasur një armëpushim të vërtetë në Ukrainë", deklaroi ai gjatë një vizite zyrtare në Australi.
"Ju nuk mund ta imagjinoni sa e rëndësishme është për mua. Është hera e parë që njoftojmë se asnjë ushtar ukrainas nuk është vrarë apo plagosur gjatë natës", shtoi ai.
Armëpushimi i dekretuar të martën në lindje të Ukrainës, i katërti në tetë muaj, dukej shumë i kërcënuar dy ditë pas vendosjes kur ushtria njoftoi dje se tre ushtarë ishin vrarë dhe tetë të tjerë ishin plagosur në 24 orë./ATSH/









