Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka kërkuar nga qeveria që të pezullojë punimet për resortin që po ndërton biznesmeni dhe botuesi Bashkim UlajRrjoll të Velipojës.

Komentet Qori i bëri në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV, ku tha se pezullimi i punimeve nga qeveria është i domosdoshëm deri në sqarimin e plotë të situatës.

Duke e quajtur Bashkim Ulajn një oligark, Qori tha se ai përmes shpronësimit të banorëve të Rrjollit, kërkon të ndërtojë resortin turistik dhe të fitojë miliarda.

“Qytetarët e Rrjollit po i japin gjithë Shqipërisë në shembull të demokracisë së drejtëpërdrejtë. Një populli kur i shkelet e drejta themelore dhe prona është një e drejtë themelore, komuniteti ngrihet në këmbë dhe kërkon të drejtat e mohuara. Sigurisht këtu jemi para një grupi qytetarësh që kanë të drejtën e vet mbi pronën dhe një ujdie të pisët mes pushtetit politik dhe oligarkut Bashkim Ulaj që duan të ndërtojnë mbi tokat e qytetarëve një resort turistik dhe të fitojnë miliarda.

“Banorët po ndjekin edhe procedurat ligjore, por në Shqipëri askush nuk do t’ja dijë për ligjin. Që do të thotë gjëja më e udhës që duhej bërë në kushtet e një antagonizmi të tillë nga ana e qeverisë, do të ishte që të paktën të pezulloheshin punimet në këtë resort, derisa të sqarohej çështja nga pikëpamja ligjore. Sepse aq shumë njerëz që luftojnë aq fortë përditë, pa pyetur për sakrifica dhe dhunohen njëherë nga Policia e Shtetit dhe njëherë nga Polici Private, që një Zot e di si mund të rrahin njerëzit në prani të Policisë së Shtetit, këta qytetarë nuk janë duke luftuar për teka, por për të drejtat e tyre ligjore”, tha mes të tjerash Qori.

Qori vijoi më tej duke thënë se ditën e djeshme, deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi do të mbante fjalim në Parlament për problemin e banorëve në Rrjoll, por një gjë e tillë sipas tij nuk ndodhi për shkak të sherrit që nisi në Kuvend mes Agron Shehajt dhe socialistëve.

“Dje deputeti ynë Redi Muçi fjalimin e kishte për Rrjollin, por nuk e lanë ta mbante sepse fillian të ziheshin. Edhe siç i bien shkurt këta që kanë pushtetin, po u zunë 2 vetë në Parlament, i mbyllin gojën 138 të tjerëve. Një mendësi e tillë për të shpronësuar pronarët e vegjël për t’ua dhënë pronën oligarkëve të mëdhenj me një vlerë nën atë të tregut, kjo është mendësi indigjene. OIigarku Ulaj është i Ramës dhe Berishës”, shtoi Qori.

Qori tha gjithashtu se partia që ai drejton do të nisë diskutime të shumta me qytetarët, me qëllim ndërmarrjen e disa iniciativave dhe ngritjen e 3 komisioneve parlamentare.

Qori tha se duke mos pasur numrin e nevojshëm të deputetëve në Parlament për të ndërmarrë këto nisma, do të nisin një seri diskutimesh publike, me qëllim që qytetarët të rrisin presionin ndaj deputetëv të partive të tjera politike, për të pranuar që të japin ‘OK’ për nismat e Lëvizjes Bashkë.

“Në analizën tonë, qeveria dhe krejt sistemi i vjetër, shumica dërrmuese e qytetarëve po t’i pyesësh sot në rrugë, thonë ‘të gjithë këta janë derra, janë fundi i kazanit’. Kjo krizë legjitimiteti kërkon një alternativë që ka të bëjë me demokratizimin e sistemit politik, me depolitizimin e administratës publike dhe me një varg reformash ekonomike.

Në Shqipëri disa njerëz janë bërë shumë të pasur, jo duke krijuar e investuar, por duke shpronësuar të tjerët. Ne duam të marrim iniciativën për ngritjen e komisioneve parlamentare për të hetuar koncesionet, përfituesit e statusit të investitorit strategjik dhe privatizimet e mëdha. Që ne të ngremë komisionin, do të na duhej një numër prej 35 deputetësh.

Por nëse ne bashkëpunojmë me qytetarët, nëse ngremë një frymë mes qytetarëve, do të krijojmë presionin e mjaftueshëm ndaj përfaqësuesve të tjerë të Kuvendit, në mënyrë që ata ta kenë të vështirë të thonë jo. Në propozimin tonë dënimi maksimal për korrupsionin nuk duhet të jetë 12 vite sa është tani, por 20 vite. Ne duam të ashpërsojmë kodin penal, në mënyrë që të korruptuarit të druhen për të vjedhur pasuritë shtetërore”, përfundoi Qori.

Qori foli edhe për shkarkimin e Belinda Ballukut nga qeveria, një veprim që sipas tij ishte i vonuar. Ai po ashtu i kërkoi PS-së që të mbajë një qëndrim të qartë për imunitetin e Ballukut. Ndërsa lidhur me videon ku shfaqej deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, duke luajtur Shah në Parlament, Qori tha se ishte diçka krejt normale për kushtet në të cilat sipas tij ndodhet sot Kuvendi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:03
Imuniteti i Ballukut/ Arlind Qori: PS të dalë me një qëndrim të qartë! Rama e vonoi shkarkimin e saj

 

Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, është shprehur se Partia Socialiste duhet të dalë me një qëndrim të qartë për imunitetin e Belinda Ballukut.

Komentet Qori i bëri në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV, ku tha se kryeministri Rama duhet ta kishte shkarkuar më herët Ballukun nga pozicionet që ajo mbante në qeveri.

Kujtojmë se SPAK ka kërkuar arrestimin e Ballukut, e cila akuzohet për korrupsion, ndërkohë që Këshilli i Mandateve pritet të marrë një vendim për imunitetin e saj.

“Në zbardhjen e vendimit të Kushtetueses sot ndër të tjera thuhet se nuk përjashtohet nga llogaridhënia dhe përgjegjësia penale anëtari i Këshillit të Ministrave dhe ai mund të pezullohet. Ndërkohë qeveria vijon ta ruajë këtë me fanatizëm. A po shpëton Rama Ballukun dhe veten? Apo po fundos Ballukun dhe Qeverinë e tij?”, e pyeti gazetari Qorin.

“Mesa kuptoj unë Rama do të ndryshojë ligjin. E kupton që kodi i procedurës penale dhe Gjykata Kushtetuese e kanë konfirmuar këtë fakt, pavarësisht kontradiktave që mund të kenë pasur për si shkohet deri te vendimi për pezullimin, bie dakord që institucionet e drejtësisë mund të pezullojnë nga detyra një funksionar të lartë të shtetit. Rama duke e ditur që ligjin e ka kundër, thotë që ‘unë për momentin kam edhe gurin edhe arrën. Kam mbi 84 vota në Parlament, kështu që do të ndryshojë kodin e procedurës penale’.

Ballukun nuk e shpëton dot sepse u shkarkua si ministre, por për të shpëtuar një Balluk tjetër nesër, që mund të jetë vetë Rama. Rama është vonuar shumë për të shkarkuar Ballukun dhe unë mendoj që ka qenë një proces i gjatë i presionit të brendshëm, jo vetëm nga Balluku që sot nuk i është hequr imuniteti, sepse nuk ka akoma një qëndrim PS dhe unë mendoj se do të votojë kundër heqjes së imunitetit të Ballukut, por edhe nga të tjerë brenda asaj partie që i thonë Ramës ‘ore ti je kreu i një organizate politike dhe ke për detyrë të na mbrosh ne kundër drejtësisë’.

Problemi i Ramës është jo vetëm të shpëtojë veten personalisht, por edhe të shpëtojë partinë që po shkoi thika e drejtësisë deri në fund, këta mund të ngelen vetëm me rojën e godinës. Kushtet janë që SPAK të shkojë deri në fund, por Rama do të përpiqet t’i ndalojë për të shpëtuar lëkurën e vet”, tha mes të tjerash Qori.

Ora 17:39
Deputeti i Lëvizjes Bashkë u ‘kap mat’ duke luajtur Shah në Kuvend, Arlind Qori për Report TV: Po të isha në vendin e tij, do kisha marrë edhe një libër me vete

 

Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka komentuar videon nga Kuvendi ku deputeti i partisë së tij, Redi Muçi, shfaqej duke luajtur shah.

I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV, Qori tha edhe nëse do të ishte vetë në Parlament, të njëjtin veprim do të bënte, madje shtoi se do të merrte edhe një libër me vete.

Kjo pasi sipas Qorit, Parlamenti e ka humbur funksionalitetin e tij dhe është kthyer në një vend sherri dhe përplasje mes deputetëve.

“E para njëherë të luash shah nuk është turp, kur ç’nuk diskutohet në atë lloj seance. Edhe të ruash qetësinë intelektuale për të mbajtur një fjalim pastaj. Unë po të isha aty do kisha luajtur edhe Shah, do kisha marrë edhe një libër me vete. Do bëja shumë gjëra që ta përdorja kohën në mënyrën më funksionale dhe të mos merresha me sherrin mes A dhe B”, tha mes të tjerash Qori.

Qori komentoi edhe draftin e paraqitur sot nga PS për rregulloren e re të Kuvendit, të cilin e konsideroi regres.

Kjo pasi sipas Qorit koha e fjalimeve të deputetëve duhet të rritej dhe jo të zvogëlohej nga 10 minuta në 5 minuta.

Të gjitha ndryshimet e parashikuara në draftin e PS, sipas Qorit kanë të bëjnë me shpejtësinë e marrjes së vendimeve dhe jo me urtësinë e shqyrtimit të nismave.

“Si nuk bëhet një ndryshim për mirë. Në vend që të rritet koha e diskutimeve, zvogëlohet. Të gjitha ndryshimet kanë të bëjnë me shpejtësinë e marrjes së vendimeve dhe jo me urtësinë e shqyrtimit, hulumtimit dhe diskutimit. Parlamenti sot konsiderohet ose si arenë boksi, ose si sekretari që vulos vendimet e qeverisë", përfundoi Qori.