Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj shprehu synimin e tij për të ulur kurbën e aksidenteve me objektiv zero jetë të humbura. Këtë parashikim ministri Lleshaj e ka bërë për vitin 2050.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lleshaj shkruan se në 7 muajt e fundit ka pasur një ulje të kurbës duke treguar sipas tij punën nga institucionet dhe rritjen e përgjegjshmërisë tek përdoruesit e rrugës. Kujtojmë se një ndër shkaqet e numrit të ulët të aksidenteve ka qenë edhe ndalimi i lëvizjes së makinave për disa muaj në vendin tonë, për shkak të koronavirusit.
"2020 e shpallëm Vitin e Sigurisë Rrugore, me synimin të vijojmë uljen e kurbës së aksidenteve, me objektiv zero jetë të humbura në 2050.
Numri i jetëve të shpëtuara në këto 7 muaj është tregues sinjifikativ për punën e bërë nga institucionet dhe rritjen e përgjegjshmërisë tek drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e rrugës.
Në vjeshtë 2020 do të kemi gati dhe do të prezantojmë paketën e plotë me ndryshimet ligjore për përmirësimet në Kodin Rrugor, që forcojnë masat dhe i bëjnë rrugët tona më të sigurta", shkruan Sandër Lleshaj.