Drejtori i Tatimeve të Tiranës është pezulluar nga detyra me një vendim gjykate, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, pasi ka ulur ndjeshëm detyrimin financiar, që duhej të paguante në favor të shtetit kompania e naftës “Fullpet”.

Sipas prokurorisë, ndaj kësaj kompanie është zhvilluar një hetim përmes të cilit ka dalë në pah se vlera e detyrimit i është ulur gjatë vitit 2014.

Kokthi vijon të jetë person nën hetim nga ana e Prokurorisë së Tiranës edhe për një rast tjetër, ku janë krijuar dyshime se ka favorizuar një firmë pjesësh këmbimi për t’iu shmangur detyrimeve tatimore.

Ja komunikata e prokurorisë së Tiranës
Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur masën e sigurimit “Pezullim nga detyra” për drejtorin e drejtorisë rajonale të Tatimeve Tiranë, Androkli Kokthi, i dyshuar se ka ulur ndjeshëm detyrimin financiar, që duhej të paguante në favor të shtetit kompania e naftës “Fullpet”.
Ndaj kompanisë “Fullpet”, Prokuroria e Tiranës është duke zhvilluar hetim lidhur me përfshirjen në një skemë mashtruese financiare. Gjatë veprimeve hetimore, Njësia Task-Force e Prokurorisë së Tiranës ka konstatuar, ndër të tjera, se në vitin 2014, administrata tatimore, e konkretisht nën drejtimin e të dyshuarit Kokthi, i ka bërë një përllogaritje të gabuar detyrimeve që “Fullpet” kishte ndaj shtetit.
Prokuroria e Tiranës ka kryer verifikimet e saj, në kuadër të procedimit penal, nga të cilat ka krijuar dyshime të arsyeshme se kjo shmangie financiare është realizuar nën ndikimin e drejtorit të drejtorisë rajonale Tiranë, Kokthi.
Ky i fundit vijon të jetë person nën hetim nga ana e Prokurorisë së Tiranës edhe për një rast tjetër, ku janë krijuar dyshime se ka favorizuar një firmë pjesësh këmbimi për t’iu shmangur detyrimeve tatimore. Për këtë rast, fillimisht ndaj tij u vendos masa e sigurimit “Arrest në burg”, e cila u zbut në gjykatën e Apelit në “arrest në shtëpi. Më tej, Gjykata e Lartë e ndryshoi masën e sigurimit, duke vendosur ndaj tij “detyrim për paraqitje”.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)