TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pas një raporti të INSTAT, në të cilin thuhet se në tremujorin e dytë të këtij viti ka një ulje të lindshmërisë krahasuar me një vit më parë. Përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, Meta thotë se shpopullimi po e plak Shqipërinë.

Sipas tij, bonusi i lindjes që jepet nga qeveria është shumë i ulët, në një kohë kur rritja e çmimeve të qirave, apo pagat e ulëta, po iu vështirësojnë jetën qytetarëve shqiptarë. Meta thotë se Partia e Lirisë do të hartojë një program për të mbështetur familjet e reja që do ta ndërtojnë të ardhmen këtu.

“Shpopullimi po e tkurr dhe po e plak Shqipërinë.  Një tjetër tregues negativ për vitin 2022, ku për tre mujorin e dytë regjistrohen 14.8% lindje më pak. Për familjet e reja bonuset e lindjes janë shumë të ulëta, ndërkohë që korrupsioni, papunësia, pagat e ulëta, çmimet e papërballueshme të banesave, cilësia e dobët e edukimit dhe mungesa e perspektivës ja u bën jetesën të papërballueshme.

Partia e Lirisë si një forcë e përkushtuar për të çrrënjosur shkaqet e shpopullimit do të ketë një program të veçantë për të mbështetur fuqimisht familjet e reja, që të ndërtojnë të ardhmen këtu dhe të lindin me guxim dhe gëzim fëmijët e tyre në një vend të sigurt, që kujdeset me dashuri dhe përgjegjshmëri për të ardhmen e tij. Koha është tani për të rikthyer shpresën dhe besimin se Shqipëria ka diell për të gjithë dhe së pari për fëmijët e saj”, shkruan Meta.

Meta i referohet raportit të INSTAT, në të cili thuhet se tremujorin e dytë të këtij viti ka 14,8 % më pak lindje në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë, me një shifër prej 5.384 foshnjash të lindura. Qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 1.940 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 85 lindje.

Aktualisht, bonusi i lindjes është 40 mijë lek për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë.