TIRANË - Ndaj temperaturave të ulëta dhe të ftohtit më të ndjeshëm janë nxënësit e shkollave, të cilët në shumicën e rasteve janë të detyruar të bëjnë mësim në të ftohtë. Në shkollën 9 vjeçare “1 Maji” orët janë bërë të shkurtuara për shkak të të ftohtit.

Orët janë shkurtuar me nga 10 minuta dhe kjo situatë do të vazhdojë deri në përmirësimin e temperaturave. Kjo shkollë sistemin e ngrohjes e ka me anë të energjisë elektrike. Por në disa klasa mungojnë rezistencat, e në disa të tjera prizat elektrike kanë defekte apo edhe janë djegur. Ato pak rezistenca ngrohëse nxënësit i kanë blerë me kontributet e tyre.

E njëjta situatë paraqitet edhe në shkollën 9-vjeçare “Mihal Grameno”. Drejtoresha e kësaj shkolle tregon jashtë kamerave, se i ftohti ua ka bërë të vështirë zhvillimin normal të orëve të mësimit si nxënësve, edhe mësuesve. Prej tre ditësh në këtë shkollë pjesa me e madhe e klasave kanë problem me energjinë elektrike, ku edhe pse është kërkuar një elektricist për të rregulluar defektin , ende nuk është sjell një i tillë nga ndërmarrja nr 3 e zonës.

Pavarësisht se buxheti afatmesëm i Bashkisë së Tiranës për vitin 2014-2016 parashikon projekte për vendosjen e sistemit të ngrohjes në të gjitha shkollat, dimri i këtij viti ka gjetur pa ngrohje dhjetra shkolla dhe kopshte në kryeqytet.
 


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)