Reshjet e shiut të shoqëruara me erë të fortë kanë përfshirë rajonin e Lezhës që prej pasdites së së dielës, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në disa zona të qytetit dhe në njësitë përreth.

Pavarësisht problematikave të raportuara, situata në qark paraqitet përgjithësisht e qetë. Moti vijon të jetë i vranët, me reshje me intensitet të ulët. Sipas të dhënave të Stacionit Meteorologjik Ushtarak në Gjadër, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 6 mm reshje shiu.

Problematika kryesore raportohet në furnizimin me energji elektrike. Në Bashkinë Lezhë pa energji janë fshatrat Kallmet, Troshan, Blinisht, Piraj, Fishtë dhe Krajen, si dhe disa zona të qytetit, përfshirë një pjesë të lagjes “Nënë Tereza”, Ishull-Lezhën, Vainin dhe lagjen Shehër.

Ndërsa në Mirditë ndërprerjet kanë prekur fshatrat Prosek, Perlat, Malaj, Fang, Katund i Vjetër dhe Rrasfik. Grupet e OSHEE-së ndodhen në terren për riparimin e defekteve. Në Kurbin, një ndërprerje e përkohshme në Milot është normalizuar pas ndërhyrjes së punonjësve.

Ndërkohë, furnizimi me ujë të pijshëm vijon normalisht. Akset rrugore kombëtare dhe rurale janë të kalueshme, hidrovorët mbahen në gatishmëri, ndërsa nivelet e lumenjve Drin dhe Mat mbeten minimale.


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ Era e fortë rrëzon pemët në Shkodër, dëmtohet shkolla 9-vjeçare në Iballë dhe disa banesa! Ndërpritet energjia elektrike në disa zona e në Lezhë