Një ndër shkaqet për nisjen e protestave të dhunshme në Tiranë, justifikohen sikur kryeministri Rama nuk mori në konsideratë kërkesat e flamingove përgjatë tre muajve të verës. Jemi dëshmitarë që qysh ditët e para të atyre protestave masive në bulevard, Rama ishte i gatshëm për dialog për të shqyrtuar kërkesat. Kur më në fund kërkesat dolën, rezultoi se pika e parë e saj ishte dorëheqja e PANEGOCIUESHME e kryeministrit.
Pra, në momentin që kërkesat nisin me diçka që nuk negociohej, praktikisht ato nuk ishin më kërkesa, por ultimatum. Ishin ish-flamingot që nuk ishin gati për bisedime, e jo kryeministri. Ata në çdo rrethanë nuk do donin bisedime, sepse qeveria mund t’ua merrte në konsideratë kërkesat e arsyeshme dhe kështu ata nuk kishin më arsye të dilnin në bulevard. Për ta mbajtur situatën sa më të tensionuar, nuk duheshin bërë assesi bisedime. Një tjetër problem ishte se asnjëri nuk po arrinte të merrte përsipër rolin e liderit. Madje, edhe kur mbajtën një kuvend për të zgjedhur një kryesi, dështuan dhe situata gati përfundoi në rrahje kolektive.
Duke parë edhe rënien e interesit publik për ta, duruan deri në tetor sa të vinin studentët. Jo sepse do t’i kishin me vete të gjithë, por duke rekrutuar disa syresh prej tyre, do hynin në konflikt jo më si flamingo të diskredituar, por si studentë. Populli shqiptar ka respekt kur flitet për studentët, sepse ishin ata në dhjetor 1990 që i dolën ballazi diktaturës komuniste.
Kësisoj, të futesh në një konflikt fizik nën emrin “student”, merr një vlerë shumë herë më të madhe sesa nën emrin “flamingo”.
Arritën ditët e para që të rekrutojnë edhe disa nxënës shkollash që e panë lënien e mësimit si diçka “seksi”. Dhe kështu, nisi një sulm i pakuptimtë ndaj godinës historike të Ministrisë së Arsimit, duke e bërë shoshë nga gurët e molotovët.
Në Tiranë, shkollat 9-vjeçare dhe të mesme janë në kushte tepër moderne, sepse u bënë pjesë e planit të rindërtimit pas tërmetit shkatërrues të vitit 2019. Edhe konviktet e studentëve në Kamzë, apo tek ish-fusha e Aviacionit, apo në Qytetin Studenti, janë kthyer në qendra moderne banimi. Po edhe infrastruktura e universiteteve ka pësuar investime thelbësore duke u mundësuar kushte të mira studentëve. Kjo nuk do të thotë që nuk ka më vend për të protestuar me plot të drejtë, por nuk justifikonte asfare atë lloj dhune shkatërrimtare ndaj godinës.
Pra, e gjithë ajo shfryrje ndaj Ministrisë së Arsimit, ishte një sebep për të justifikuar më pas dhunën anekënd Tiranës.
Dëgjova në televizion një prej ideologëve neokomunistë që pretendon se është pjesë e organizimit të protestuesve të dhunshëm, sipas të cilit, ai nuk pranon asnjë lloj bisedimi me kryetarin e Partisë Socialiste. Bile shkoi më tej duke thënë që mund të bisedojë vetëm me një kryetar tjetër të PS-së. Pra, ai që ka vetëm një deputet në Kuvend, i cakton mazhorancës që ka 85 mandate në Kuvend, se cili duhet të jetë kryetar i partisë.
Ndërkohë që moderatori e pyeti nëse e dënon drejtpërdrejt dhunën në Gjykatën e Apelit që sapo kishte ndodhur, ai kaloi në një çështje tjetër dhe as denjoi ta dënojë atë dhunë. Pra ai e tregon fare hapur që është me mentalitet antishtet, i mjaftueshëm për të kuptuar që në zgjedhjet e ardhshme mos t’i japësh asnjë deputet.
Në të gjithë këtë zallahi dhune, ajo që nuk duhet bërë në asnjë mënyrë, është dorëzimi politik ndaj të dhunshmëve, huliganëve e vandalëve. Nëse ka vetëm një aspekt të “mirë” kjo situatë kaotike, është që po nxjerr në pah ato figura publike, të të gjitha fushave, që po pozicionohen hapur, pro dhe kundër dhunës. Historia do të na gjykojë të gjithëve, emër për emër, se cili e cila patën të drejtë. Edhe ata që u fshehën si struci./Tema










Komente
Komento