TIRANE-Pavarësisht protestës së një grupi banorësh të Unazës së Re (lexo këtu) që preken nga projekti dhe që i kanë banesat pa leje, puna vijon në zonën e Astirit për t'i hapur rrugë kantierit për realizimin e projektit.
Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë se Tiranës sot ka prishur disa objekte të tjera, të cilat janë ndërtuar në gjurmën e Unazës së Madhe. Bëhet fjalë kryesisht për objekte që shërbenin për funksione biznesi të ndërtuara pa leje në vijën e parë, anës rrugës dhe që preken nga projekti i zgjerimit të unazës.
Sipas njoftimit, specialistët e IMT dhe të ndërmarrjeve të tjera bashkiake kanë gjetur bashkëpunimin e banorëve që posedonin këto objekte, të cilët kanë pranuar që t'i boshatisin ato vullnetarisht për t'i krijuar mundësi mjeteve të rënda që të vazhdojnë me procesin e prishjeve. Krahas këtij procesi, Bashkia e Tiranës ka vijuar edhe me largimin e mbetjeve inerte.
Kujtojmë që për lotin e parë të projektit janë pezulluar punimet për shkak të anulimit të tenderit nga ARRSH për firmën ‘DH Albania’ , pasi dyshohet se kishte falsifikuar dokumentacionin, çështje që i ka kaluar për hetim prokurorisë.
Komente











