Para tri ditësh, Policia ka ndaluar 10 manifestues, të cilët, sipas akuzës, kishin bllokuar rrugën gjatë protestave të “Astirit”. Ligji parashikon se bllokimi i rrugëve është një vepër penale dhe, duke qenë i tillë, parashikon një dënim deri në 3 vjet burg. Kodi përcakton se arrestimi mund të vendoset nga Policia në kushtet e flagrancës, edhe për të shmangur përsëritjen e krimit. Natyrisht, nuk diskutohet këtu për të drejtën kushtetuese për të protestuar, por nëse është e ligjshme apo jo që ta ushtrosh këtë të drejtë duke bllokuar qarkullimin rrugor, domethënë duke kufizuar lirinë e lëvizjes së qytetarëve të tjerë.

Dje, të dhjetë demonstruesit e arrestuar u paraqitën në Gjykatë dhe këtu një gjyqtar i liroi, duke prapësuar veprimin e Policisë dhe kërkesat e Prokurorisë. Pak orë më pas, një pjesë e atyre demonstruesve ishin sërish në shesh, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Ngjarje si këto, që përsëriten çdo ditë në sallat e gjyqit, tregojnë inekzistencën e shtetit. Pasi këtu ka vetëm dy hipoteza për të shpjeguar se ç’ndodhi: ose Policia abuzoi me pushtetin e saj, duke arrestuar pa shkak demonstruesit, ose gjyqtari ka injoruar përgjegjësitë e tyre. Në rastin e parë, gjyqtari duhet të kërkojë inkriminimin e policëve abuzues. Në rastin e dytë, duhet të jetë Prokuroria që të nisë një hetim mbi gjyqtarin e korruptuar. Për fat të keq, nuk ka ndodhur as e para dhe as e dyta. Konkluzioni këtu është se ligji nuk vlen për askënd. Domethënë nuk ka shtet.