TIRANE -Shteti shqiptar, përmes Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka fituar gjyqin në Shkallën e Parë ndaj kontratës me DH Albania për ndërtimin e lotit të parë tek "Shqiponja" në projektin e Unazës së Re. Kompania DH Albania edhe pse fitoi këtë kontratë, rezultoi më tej të kishte falsifikuar dokumentacionin çka solli përjashtimin e saj nga ky projekt.

Por kush duhet të paguajë për këtë?

Sigurim kontrata mes DH Albania dhe ARRSH, ishte në garancinë e dy kompanive të sigurimit. Që do të thotë se të gjitha dëmet që vijnë nga kjo kontratë e lidhur mes privatit dhe shtetit i ka për detyrë t'i paguajnë kompanitë e sigurimit.

Në seancën e mbajtur sot në Gjykatën e Tiranës, ku shteti shqiptar kishte paditur kompaninë e sigurimit, ARRSH fitoi 2.6 milion dollarë, që do të paguhen pikërisht nga dy kompanitë e sigurimit si garante të kontratës së lidhur nga DH Albania për ndërtimin e Unazës së Re.

Pas provave dhe argumenteve të paraqitura nga juristët e ARRSH, gjykata ka dhënë vendimin e saj, duke pranuar tërësisht padinë e bërë sipas objektit të kërkesë padisë.

Në këtë mënyrë shtetit shqiptar jo vetëm që nuk i është shkaktuar asnjë dëm ekonomik nga situata e krijuar në këtë projekt prej shoqërisë “Biba X shpk + DH Albaniashpk”, por do të arkëtohen edhe rreth 2.6 milionë USD si dëmshpërblim nga kompanitë e sigurimit.