Unioni i gazetarëve do të protestojë për situatën në lidhje me praktikat informale të punësimit në median shqiptare, e cila është në gjendjen më të keqe në këta 10 vjet. Sipas këtij unioni vetëm në 3 muajt e fundit janë paraqitur pranë gjykatave 12 akt-padi nga gazetarët për punëdhënësit e tyre.
Studimi i paraqitur nga Unioni i Gazetarëve tregon se vetëm 12.5 perqind e gazetarëve të pyetur operojnë në tregun mediatik në një periudhë nga 11-15 vjet.
Ndërsa gazetarët që punojnë nga 1 deri në 5 vjet në tregun e medias janë më të shumtë dhe po ashtu, japin shifra të ndryshme në atë që konsiderohet “libreza e punës”. Për median e shkruar gazetarët shprehen se kanë qëndrueshmëri dhe në përgjithësi ndihen të sigurt në punë. Praktika e një kontrate pune shtrihet në periudhën kohore 2008-2011 meqënëse kjo lloj kontrate u bë normë për gazetarët në këtë kohë. Nga 291 gazetarë që iu përgjigjën pyetjes për kontratën vetëm 123 prej tyre kanë raportuar se kanë pasur një të tillë. “Kjo përkon me më pak se gjysmën e përgjigjeve të vlefshme për pyetjen gjë që nënkupton se edhe në kohën kur perceptimi për kontratat ishte ai i një praktike rutinë, vetëm dicka më pak se gjysma e gazetarëve kanë pasur historinë e punësimit të shënuar në kontratë” thuhet në raport.
Sa i përket çështjeve në gjykatë, 26 gazetarë nga 334 të pyetur kanë pohuar se e kanë cuar në gjykatë cështje të lidhura me mosmarrëveshjet me punëdhënësit. Janë 18 gazetarë që kanë pohuar se nuk i drejtohen gjykatës për shkak të tarifave të larta që kanë proceset. Ndërkohë sa i përket ekzekutimit të vendimeve, përmendet fakti se nga 9 gazetarë që kanë fituar çështjet gjyqësore, vetëm 7 prej tyre thanë se vendimi i gjykatës ishte ekzekutuar.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)