TIRANE- Këtë vit akademik do të ulen për herë të parë në auditoret e universiteteve publike plot 26.307 të rinj. Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të qeverisë, gjatë së cilës kryeministri Berisha nuk mori parasysh kërkesën e disa universiteteve për rritje të tarifës së shkollimit. Berisha deklaroi se edhe për këtë vit akademik tarifa e shkollimit do të pësojë rritje vetëm sa niveli i inflacionit. Por duket se nuk do të jetë kështu për ata që zgjedhin Mjekësinë dhe Arkitekturën. Pas vitit të tretë të shkollimit, tarifa vjetore që do të paguajnë studentët e degës së Mjekësisë së Përgjithshme; Farmaci; Stomatologji; Arkitekturë (arkitekt); Arkitekturë (urbanist) dhe Mjekësi Veterinare do të jetë plot 65.000 lekë të reja, nga 30 mijë që është aktualisht. Kuota totale e pranimeve në universitete publike për studimet e ciklit të parë me kohë të plotë në vitin akademik 2012- 2013 janë planifikuar të jenë 27.647 studentë. Rreth 70% e maturantëve përfitojnë vende studimi me kohë të plotë në universitetet publike. Sipas zyrës së shtypit të MASH-it,Rreth 1/3 e numrit të kuotave i përkasin IT, rreth 4700 të rinj, shkencave teknike, matematikës dhe fizikës. Për kandidatët nga Kosova dhe studentët shqiptar nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës janë planifikuar 700 kuota (2.7% e totalit). Për studentët romë dhe egjiptianë janë planifikuar 20 kuota të veçanta që pranohen pa konkurrim.
(ek/shqiptarja.com)