PRISHTINË, 17 Nëntor /ATSH/ - Në vazhdën e intensifikimit të raporteve me universitetet shqiptare, drejtuesit e Universitetit të Mitrovicës "Isa Boletini" (UMIB), kanë nënshkruar ditët e fundit tri marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin "Fan S. Noli" në Korçë, "Eqrem Çabej" në Gjirokastër dhe "Ismail Qemali" në Vlorë, bën të ditur KosovaPress.
Rektori i UMIB-it, Alush Musaj, i cili gjatë qëndrimit në Shqipëri shoqërohej edhe nga prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim të Cilësisë, Rifat Morina si dhe prorektori për Buxhet e Financa, Sabri Sadiku, përveç nënshkrimit të marrëveshjeve kanë vizituar edhe hapësirat e universiteteve, ku janë njohur me kushtet e punës që ofrohen atje. Ata gjithashtu janë njohur edhe me mundësitë që ofrojnë këto universitete për mësimdhënësit dhe studentët nga trojet shqiptare.
Gjatë takimeve veç e veç me rektorët e këtyre tre universiteteve shqiptare, janë hulumtuar mundësitë konkrete për bashkëpunim në fusha të caktuara. Mikpritësit janë shprehur të gatshëm që të ndihmojnë në fushat ku UMIB si universitet i ri ka nevojë më shumë.
Rektori i Universitetit "Fan S. Noli" në Korçë, Gjergji Mero, tha se ata kanë bashkëpunim të mirë me universitetet nga Kosova dhe në këtë drejtim shprehu kënaqësinë që po nisin bashkëpunimin edhe me Universitetin e Mitrovicës. Ai tha se në Universitetin e Korçës kanë një traditë të mirë drejtimet bujqësore, gjë që mund të ndihmojnë dhe të bashkëpunojnë ngushtë me Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore në Mitrovicë.
Ndërsa, rektori i Universitetit "Eqrem Çabej" në Gjirokastër, Gëzim Sala, potencoi traditën e tyre në fushën e edukimit. Ai ofroi mundësinë që studentët dhe mësimdhënësit nga UMIB-i të përfitojnë nga përvoja e tyre.
Për shkëmbimin e përvojave nga të cilat do të përfitojnë studentët dhe mësimdhënësit shprehu gatishmëri edhe rektori i Universitetit "Ismail Qemali" në Vlorë, Albert Qarri. Si fushë më të zhvilluar ku mund të fokusohet bashkëpunimi përmenden drejtimet ekonomike, të cilat kanë një traditë të gjatë në Universitetin e Vlorës.
Në anën tjetër, rektori u UMIB-it, Alush Musaj, ka falënderuar rektorët e këtyre universiteteve për gatishmërinë e tyre, që të bashkëpunojnë në të mirë të studentëve dhe mësimdhënësve.
Ai vlerësoi me rëndësi jetike për të dy shtetet bashkëpunimin e universiteteve shqiptare në fushën e shkencës. UMIB ka marrëveshje bashkëpunimi edhe me Universitetin e Tiranës si dhe Universitetin Politeknik të Tiranës. Gjithashtu ka një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi me universitete të ndryshme nëpër botë. /k.s/











