/ATSH/.- Rektori i Universitetit "Ukshin Hoti" në Prizren, Ramë Vataj, po vazhdon vizitën në universitete të rëndësishme evropiane, bëri të ditur sot KosovaPress.
Ai është takuar me udhëheqësin e Shoqatës së Universiteteve dhe Shkollave të Larta të Rajonit të Bodense, Stephan Prehn, ku mori premtime se Universiteti i Prizrenit do të përkrahet përmes projekteve të ndryshme.

Shoqata përbëhet nga 30 Universitete e Shkolla të Larta të katër shteteve: Gjermanisë, Zvicrës dhe Lichtensteinit.
Në këtë takim është diskutuar për mundësinë e përkrahjes të UPZ-së nga kjo Shoqatë, ku u premtua që Universiteti i Prizrenit do të përkrahet përmes projekteve përkatëse. Aty lindi ideja që edhe në Kosovë të themelohet një organizëm i tillë.

Ndërkaq, Rektori Vataj gjatë ditës së hënë ka takuar edhe Rektorin e Universitetit Konstanz në Gjermani, Prof. Dr. Ulrich Rüdiger.
Në takim është diskutuar mundësia e bashkëpunimit mes dy universiteteve në fushat akademike, shkëmbin e studentëve, profesorëve dhe ndihmën e këtij universiteti prestigjioz evropian për zhvillimin e mëtejshëm të Universitetit të dytë publik në vend, Universitetit të Prizrenit.

Vizita e Rektorit Vataj në këto Universitete prestigjioze evropiane, është në kuadër të angazhimeve për afirmimin ndërkombëtar të Universitetit "Ukshin Hoti" në Prizren.
Objektiv i Rektorit Vataj është edhe avancimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimi i personelit të universitetit dhe studentëve. Rektori Vataj krahas konkretizimit të realizimit të marrëveshjeve të deritanishme me universitetet ndërkombëtare në rajon dhe më gjerë, synon edhe lidhjen e marrëveshjeve të reja të bashkëpunimit me universitetet e ndryshme evropiane.