Çuditë me Universitetin e Sporteve në Tiranë nuk kanë të sosur. Pak ditë pasi gazeta “Shqiptarja.com”, publikoi lajmin se rektori i këtij universiteti, kishte favorizuar dhëndrin e tij të merrte provimet në fakultetin e Shkencave të Lëvizjes, pa qenë fare i pranishëm në Shqipëri, rektori ka firmosur shkarkimin nga detyra të dekanit dhe zëvendësit të fakultetit ku dhëndri i tij është student i part-time.

Ndërsa pritej që ky universitet apo edhe ministria e Arsimit të dilnin në një konkluzion për abuzimet të denoncuara nga “Shqiptarja.com”, në fakt rektori, të cilit i ka mbaruar mandati 4-vjeçar që në fillim të vitit 2012, ka lajmëruar dekanin Mehmet Spahiu (ne foto) dhe zëvendësin e tij, Adrtiatik Meta, se duke filluar nga data 25 qershor 2012, ata kalojnë si pedagogë të thjeshtë pranë këtij fakulteti dhe zhvishen nga funksionet drejtuese. Por më i habitshëm është motivacioni që rektori u ka komunikuar për largimin nga postet që ata mbajnë. Kështu në shkresën zyrtare që u është vënë në dispozicion dekanit dhe zëvendësit të tij shkruhet “Vendosi shkarkimin nga detyra të dekanit të fakultetit të Shkencave të Lëvizjes, prof.dr. Mehmet Spahiu dhe zv.dekanit prof.asc.dr. Adriatik Meta, me motivacionin: për mangësi të theksuara në drejtim të punës mësimore, shkencore, administrative, veprimtarisë studentore dhe si përgjegjës direkt i ngërçit institucional për zgjedhjet në e UST-së; për qëndrim tërësisht indiferent dhe inkurajues ndaj shpifjeve dhe shtrembërimit të realitetit në UST”, - thuhet në letrën e cila mban firmën e rektorit Rizvanolli. Mësohet se tashmë ky pozicion, pra ai i dekanit të Shkencave të Lëvizjes do të mbahet nga zv.rektori Arben Kaçorri.

DEKANI
Mehmet Spahiu, dekani i shkarkuar dy ditë më parë nga rektori, i kontaktuar nga gazeta “Shqiptarja.com” shprehet se ai kundërshton krejtësisht motivacionin me të cilin është larguar nga ky pozicion. “Unë sigurisht që do ta pranoj vendimin për shkarkimin tim nga posti i dekanit, por nuk pranoj në mënyrë kategorike asgjë nga arsyet për të cilat unë jam shkarkuar. Unë kam zhvilluar dhe drejtuar këtë fakultet me përgjegjshmëri dhe nuk lejoj askënd të më akuzojë për mos zhvillim të mësimit. Rektori le të vërtetojë me fakte qoftë edhe një germë të asaj që ka shkruar në këtë letër shkarkimi dhe unë jam gati të largohem edhe nga vendi i punës e jo më nga pozicioni i dekanit”, - na ka shpjeguar ish-dekani, Spahiu. Sa i përket çështjes së bllokimit të zgjedhjeve për drejtuesit e rinj të këtij universiteti, Spahiu na shpjegon se senati dhe rektori ndodhen në proces gjyqsor, ndërsa rektori kish deklaruar pak kohë më parë se pa përfunduar ky proces nuk do të ketë asnjë lëvizje në staf, pra as largime dhe as punësime të reja. “Pavarësisht kësaj, ne nuk dimë se çfarë do të ndodhë. Ta zëmë se në seancën që do të zhvillohet më 12 korrik fiton njëra palë. Çfarë do të ndodhë më tej? Pala që humbi do t’i drejtohet sërish gjykatës, dhe procesi mund të zvarritet për vite të tëra. Unë mendoj se ministria e Arsimit duhet të gjejë hapësirat ligjore dhe të shprehet, pasi universiteti nuk mund të rrijë i bllokuar për vite të tëra”, - na thotë më tej Spahiu.

Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptajra.com
(sg/shqiptarja.com)