Universiteti pulitik i papolitizua

Universiteti pulitik i papolitizua
Parandalimi i studentëve të SKV-së për të marrë pjesë në zgjedhje është shprehje e hapur e frikës nga të menduarit në Universitetin e Prishinës. Ky universitet deri sot ka pasur modelin Dulla si përfaqësues tipik të studentëve 

Avni Zogiani

Zgjedhjet studentore në Universitetin e Prishtinës tradicionalisht kanë qenë një proces formal për të konfirmuar studentët-përfaqësues të partive politike në forumet e universitetit. Prandaj, këto zgjedhje nuk kanë pasur asnjë relevancë për opinionin publik, e madje, madje, as për vetë studentët e UP-së. Kjo shifet edhe në faktin që studentët për profesorët vazhdojnë të jenë klientë më shumë sesa partnerë.

Marrëdhënja prej klienti e studentit të UP-së fillon që nga pritja e tyre në sportelet e fakulteteve. Ata durojnë referentët jo-kompetentë e të lodhur nga procedurat e tepruara administrative, të cilat në universitete normale janë tërësisht in-ekzistente. Sporteli është dritareja nëpërmjet së cilës UP i shef studentët, të mësuar me fyerjen e indiferent ndaj faktit që ata detyrohen në ceremoni të trashëguara nga komunizmi. Kështu, universiteti që shef studentët nëpërmjet sporteleve, vazhdon të prodhojë klientë, pa mendim, për të gjithë sektorët shoqëror. Një pjesë e mirë e tyre nuk e heqin kravatën që prej ditës së diplomimit me shpresën që të kapin një vend në institucione.

Të tillë studentë shndërrojnë arketipin e liderit studentor të UP-së, Dullën, në personazhin më të preferuar. E Dulla, akoma pa u futur në institucione vepron “institucionalisht”. Ka veturë, ka shofer, nxer foto nga takimi me Obamën, të cilën fore natyrisht e blejnë redaktorët e kalit fluturues të RTK-së. Për dekada me radhë, gati pa përjashtim, studentët e UP-së, kanë pasur për udhëheqës një Dullë. E Dulla e di mirë çka dojnë studentët e formësuar nga sportelet e UP-së, dhe lyen flokët me livadndë e ngjeshet në kostum të shtrenjt. Secili nga ta është një rekrut potencial për shumicën e partive politike në Kosovë dhe herët a vonë do përfundojë në një nga xhipat e zinjë.

Të tillë studentë trajnohen nga profesorët-ministra që të mos mendojnë, sepse për neve mendojnë “miqtë tanë”. Nëse një student eventualisht mendon, Rektorati i UP-së, i prirë nga rektori jo-ligjor pensionist, Mujë Rugova, kujdeset ta përjashtojë. Ta përjashtojë nga fakulteti, siç bëri me Ron Gjinovcin, dhe nga zgjedhjet siç bëri me lëvizjen studentore, Studim Kritikë Veprim - SKV. UP nuk duron politiken, por është strofulla e partive, përfaqësuesit e të cilave alternohen me ndërrimin e partisë në pushtet.

Një student i veshur me kravatë e kostume në Kosovë është detyrimisht një përfaqësues i një partije politike, por në mënyrë tinzare. SKV është haptazi një organizatë e përbërë nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje. Në rast se flasim për politizim të UP-së, derisa Dulla tinëz përfaqëson pulitiken, SKV përfaqëson haptazi politikën në UP. Cili variant është më i pranueshëm?

Universiteti duhet të jetë politik, por nuk do duhej politizuar. SKV ka ndërmarrë disa inisiativa për ta shndërruar UP-në në një universitet me demokraci direkte, gjë që mund të jetë shumë idealiste, por është thjesht një ide politike ndaj së cilës nuk ka nevojë për frikë. Komisioni zgjedhor i UP-së ia ka ndaluar kësaj lëvizjeje të drejtën për të garuar në zgjedhjet studentore dhe ktë s’mund ta shof ndryshe veçse si një frikë. Pa marrë para sysh rrethanat, përveç kur dikush është i dyshuar për ndonjë krim serioz, e drejta për të zgjedh dhe për të qenë i zgjedhur është një e drejtë kushtetuese, të cilën nuk guxon askush ta ndalojë.

Është një keqkuptim i madh rreth kërkesës parimore që politika të jetë jashta universitetit. Universiteti duhet të përmbajë ide politike dhe kjo është e mundur pa u politizuar si institucion. Nga e kaluara e UP-së kuptohet se kur në akademi nuk ka politikë, ka pulitikë. E pulitika kryesisht përfaqësohet nga pulagjinjë që kërkojnë një xhip të madh e të zi. Koncepti Dulla është koncepti pulitik i universitetit të “pa-politizuar”. S’ka si të jetë ndryshe kur tërë spektri universitar në Kosovë, paturpësisht, është okupuar nga ministra e zëvendës-ministra, një praktikë kjo e pa-precedent. Nuk kam parë ndonjë vend ku posti i kryeministrit vjen në pako me postin e mësim-dhënësit në universitet dhe anasjelltas. Ky është një politizim i hapur i spektrit universitar. Ky universitet me politikanët profesorë pretendon se me marrjen e së drejtës për pjesëmarrje në zgjedhje SKV-së, po e parandalon politizimin e UP-së.

Përgjithësisht spektri institucional në Kosovë është vendosur në binarë të arbitraritetit. Asnjë sektor nuk mund të funksionojë jashta pulitikës, kur nën kthetrat e ekzekutivit të udhëhequr nga pulitikanë është nënshtruar edhe Parlamenti i Kosovës. Në këtë ambient është krejtësisht normale që të ketë një lëvizje studentore që mendon revolucion, sepse gjendja e demokracisë në Kosovë është e ngjashme me gjendjen e para-revolicionit arab. Batakgjinjë që përkrahen nga të huajt për ta përdorur shtetin kundër shoqërisë. Kjo është një gjendje e pështirë që arsyeton secilin veprim që e ekspozon despotizmin.



.

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Pagat e mësuesve në institucionet arsimore, sa rriten për secilën kategori

Pagat e mësuesve në institucionet arsimore, sa rriten për secilën kategori