“Ura që lidh brezat”, një aktivitet që bashkoi kujtesën historike, diplomacinë dhe zërin e të rinjve ishte ceremonia përkujtimore e mbajtur në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Ceremonia nisi me mbjelljen simbolike të një peme ulliri, simbol i paqes dhe vazhdimësisë, ku nxënës të shkollës “Refik Veseli” dhe gjimnazit “Sami Frashëri” varën mesazhe reflektimi, duke e kthyer kujtesën në zotim për veprim.

“Atëherë Holokausti lindi dhimbje, sot kujtesa ndërton ura”, ishte mesazhi qendror i aktivitetit.

Në fjalën e saj, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, theksoi se Shqipëria ishte i vetmi vend i pushtuar nga nazistët ku popullsia hebreje u rrit gjatë Luftës së Dytë Botërore, falë kodit moral të Besës dhe guximit njerëzor për të mbrojtur jetën. Ajo nënvizoi se ky shembull nuk i përket vetëm historisë, por mbetet busull morale edhe sot, në një botë të përballur me antisemitizëm, urrejtje dhe konflikte të reja.

“Shqipëria vendosi t’i bashkohet kartës së bordit të paqes së presidentit Trump përmes pjesëmarrjes së kryeministrit Rama si një vend që ka dalë nga errësira e totalitarizmit me një vllazëri fetare shembullore dhe pa çarje etnike. Duke nisur nga Gaza në një vend e rajon që ka vuajtur shumë nga ekstremizmi, ideologjitë e urrejtjes, terrorizmi e lufta, e ku paqja e qëndrueshme, pajtimi e rindërtimi duhet të jenë zgjidhja e vetme për izraelitët, palestinezët e të gjithë popujt e Lindjes së Mesme. Në një botë që po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme, ku konfliktet e vjetra në vend të shuhen po intensifikohen Shqipëria i ka qëndruar dhe do t'i qëndrojë busullës së saj morale dhe vlerave universale që na bashkojnë. Paqja si kusht i domosdoshëm për mbijetesën e çdo vlere tjetër. Kjo është e vetmja formulë për të zgjidhur konfliktet kudo.”, tha Spiropali.

Mesazh përshëndetës përcolli përmes një videoje edhe Ministri i Jashtëm i Izraelit.

“Gjatë Holokaustit, ndërsa në pjesën më të madhe të Europës hebrenjtë dërgoheshin në kampet e vdekjes, shqiptarët u ngritën në mbrojtje të hebrenjve në emër të kodit të tyre të nderit, Besa. Asnjë hebre nuk u dërgua drejt vdekjes. Shqipëria ishte i vetmi vend i pushtuar nga nazistët ku popullsia hebraike u rrit gjatë Holokaustit. Ne nuk do ta harrojmë kurrë këtë.”, tha ministri izraelit Gideon Sa'ar.

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri e cilësoi Holokaustin kapitullin më të errët të historisë gjermane dhe vlerësoi rolin e Shqipërisë si shembull tolerance dhe mikpritjeje.

“Kurrë nuk duhet ta harrojmë vuajtjen që ju shkaktua më shumë se 6 milionë grave, burrave e fëmijëve hebrenj dhe shumë të tjerëve. Është detyra jonë morale t'i kujtojmë, të sigurohemi që masakra të tilla të mos ndodhin më kurrë. Në 2026-ën, më shumë se 80 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, është thelbësore që t’i mbajmë gjallë mësimet nga holokausti. Ja pse sot kujtojmë po ashtu ata që dëshmuan kurajo të jashtëzakonshme e mirësi përballë së keqes dhe këtu në Shqipëri gjejmë shembull vërtetë të jashtëzakonshëm.”, tha ambasadori Karl Bergner.

Edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përmes një mesazhi në platformën X vlerësoi rolin unik të Shqipërisë në shpëtimin e hebrenjve dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës si mbrojtje ndaj përsëritjes së historisë.

“Dita e Kujtesës duhet të shërbejë si një thirrje e ndërgjegjes kolektive për të mbrojtur me humanizëm dhe përgjegjësi të drejtën e të gjithëve për të jetuar me dinjitet dhe në paqe, sepse të gjithë i kemi parë pasojat e tmerrshme të urrejtjes etnike, racore, fetare dhe të antisemitizmit”., vërejti Begaj.

Në një kohë kur bota përballet me konflikte dhe tensione të reja, mesazhi i kësaj dite është i qartë: kujtesa është një akt moral, që duhet kthyer në veprim për paqe, dinjitet dhe humanizëm.