TIRANE- Linjat urbanët të kryeqytetit mbeten jashtë vëmendjes së Bashkisë. Të udhëtosh me linjat urbane, për kryeqytetasit është një stres më vetë për shkak të mbipopullimit të urbanëve. Njerëzit aty shtypen dhe ngjeshen fort pas njëri tjetrit aq sa shpesh edhe dyert e urbanit mbyllen me vështirësi. Kjo është një situatë sa e zakontë aq edhe problematike për qytetarët e Tiranës të cilët i përdorin linjat urbane disa herë në ditë. Numri i madh i popullsisë nuk është shoqëruar me një shtim të mjeteve të transportit publik. Duke qenë gjatë gjithë kohës të ngjeshur me njëri tjetrin, qytetarët me njërën dorë duhet të mbahen në hekurat e urbanit dhe me dorën tjetër të mbajnë fort portofolin, ndërsa femrat ta shtërngojnë çantën pas vetes. Duke qenë një numër i lartë personash në urbanë, të shumtë janë qytetarët që kanë qenë pre e vjedhjeve. Në linjat e urbanëve të Tiranës, incidente të tilla kanë qenë të shpeshta, ku qytetarët janë ankuar për vjedhje dhe kjo ka ndodhur dhe ndodh shpesh herë.

Afërdita punon në një furrë buke, dhe shpesh detyrohet të marrë urbanin për të shkuar në punë, ajo shprehet e shqetësuar pasi disa muaj më parë në urban i kanë vjedhur portofolin ku përveç parave ajo ka humbur edhe disa sende personale si dhe kartën e identitetit. ” Kam frikë t’ja largoj sytë çantës, një hërë më vodhën portofolin, s’mund të më ndodhë prap”- thotë ajo. Por problemi i qytetarëve që përdorin linjat urbane nuk mbaron me kaq. Ata duhet të rrinë nën frymën e njëri tjetrit duke krijuar një ajër të rëndë dhe tepër të ndotur. Në stinën e vjeshtës dhe të dimrit ky është një rast i shpeshtë ku në ambjente të tilla përcillen virozat gripale nga një person mbartës tek të tjerë me të cilët ndan një udhëtim të shkurtër brenda për brenda Tiranës.

Por për ata që nxitojnë të shkojnë në punë, ky udhëtim nuk duket aspak i shkurtër, pasi vonesa është një ndër problematikat kryesore të urbanëve , dhe në distanca prej 800-900 metrash shpesh urbani bën rreth 35 ose më shumë minuta. Kjo vjen si pasojë e trafikut të rënduar në qytet por edhe sepse askush nuk është aq i ndërgjegjshëm sa ti japë përparësi lëvizjes së urbanit. Transporti urbanë në shqipëri është problematik, dhe në kryeqytet këto problematika janë më të shpeshta. Ndonëse në dyert e të gjithë autobusëve të rinj dhe  të vjetër janë vendosur tabela ku shkruhet qartësisht hyrje dhe dalje, askush nuk e zbaton këtë kod të thjeshtë udhëtimi.

Qytetarët hyjnë dhe zbresin në të njëjtën derë.  Të zbresësh nga autobusi është po aq e vështirë sa edhe të hipësh, turma e njerëzve që pret kushedi prej sa kohe në stacion përpiqet të hypë sa më shpejt për të zënë një vend, ndonëse fatorinoja vazhdon të thërrasë që të presin, pasi ka ende udhëtarë në fund të autobusit që duhet të zbresin. Tjetër torturë për qytetarët është edhe pagesa e biletës ku fatorinoja e ka të pamundur të afrohet të qytetari pasi nuk ka si ta kalojë turmën e njërëzve që pushton mesin e autobusit. Duke qenë se Unaza është një nga linjat më të mbingarkuara të transportit publik të kryeqytetit aty gjenden edhe problemet më të shumta. Në këtë linjë mund të gjesh çdo ditë qytetarë të shqetësuar nga ky problem i vazhdueshëm  i cili nuk dihet se kur do të marrë një zgjidhje.
 
Transporti urban në kryeqytet përballet ëdo ditë me probleme të shumta. Një ndër problemet kryesore është numri i lartë i personave që udhëtojnë në një autobus urbanë duke bërë që personat të udhëtojnë “nën frymën” e njëri tjetrit si dhe duke krijuar shpesh situata kaotike për shkak të vonesave. Tepër shqetësuese për qytetarët është edhe fakti që lëvizjet e autobusit urban në qytete janë shoqëruar nga vjedhje të shpeshta në urbanëve në Tiranë. Transporti urban duket se ka mbetur jashtë vëmendjes nga strukturat e Bashkisë së Kryeqytetit. 
 
Shkrimi u publikua sot (16.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)