Drejtoria Rajonale e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor të Fierit, u ka bërë thirrje qytetarëve dhe farmacistëve për eleminimin e fenomenit të tregtimit të medikamenteve mjekësore pa recetën e mjekut specialist. DRSKSH u ka kërkuar farmacistëve të mos bien prehë e fitimit të pandershëm, duke dëmtuar në këtë mënyrë shëndetin e pacientëve.

"Nga kontrollet e ushtruara janë konstatur raste të tregtimit të medikamenteve pa recetë, gjë që përbën një precedent të rrezikshëm për shëndetin e pacientëve", tha dje drejtori i kësaj drejtorie, Nexhmi Rustemi. Sipas tij, "ndërgjegjësimi i ulët dhe mungesa e kulturës mjekësore të qytetarëve bën që ata t’i drejtohen farmacistit për medikamente pa asnjë recetë, duke marë mbi vete dhe kompetencën e mjekut, pa ditur efektet anësore dhe pasojat që shkaktohen nga përdorimi i tyre pa autorizimin e mjekut".

"Pacienti duhet të shkojë me recetë të lëshuar nga mjeku specialist në farmaci, me përjashtim të rasteve kur ka nevojë për ndonjë medikament të thjesht si paracetamol, etj. Të sëmurët kronik, të cilët janë edhe më problematikët në këtë drejtim, duhet të paraqiten te mjeku specialist, pasi ai pas ekzaminimit mund të ndryshojë medikamentet apo dozat e tyre në përputhje me ecurinë e sëmundjes", tha Rustemi.

Sa i përket ilaçeve të listuara në Listën e Barnave të Rimbursueshme, sipas tij, nuk janë konstatuar raste të dhënies së tyre pa recetë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 16.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)