Urdhri i Mjekut/ Debate te Komisioni për Shëndetësinë, Metaj: Fytyrat tuaja arkitektë të shkatërrimit të shëndetësisë! Gjergji: Keni dy ministra në SPAK, tërhiquni!

 Urdhri i Mjekut/ Debate te Komisioni për Shëndetësinë, Metaj: Fytyrat tuaja arkitektë të shkatërrimit të shëndetësisë! Gjergji: Keni dy ministra në SPAK, tërhiquni!

Nga mbledhja e sotme te Komisioni i Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale

Edhe në ditën e dytë të diskutimeve në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale për Aktin Normativ dhe ndërhyrjet për Urdhrin e Mjekut, nuk munguan debatet e shoqëruara me akuza politike mes anëtarëve të mazhorancës dhe opozitës.

Sot ishte e pranishme ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, e cila dha shpjegime teknike pse po bëhen ndërhyrjet dhe iu përgjigj akuzave të opozitës së “po merret nën kontroll institucioni i pavarur i Urdhrit të Mjekut”.

Ministrja dhe përfaqësuesit e PS u shprehën se ndërhyrjet vijnë si “urgjencë dhe nevojë” pas problematikave të shtuara në sektorin e shëndetësisë”, duke iu referuar edhe skandalit të Onkologjikut.

Por sipas deputetëve të PD, qëllimi është “marrja nën tutelë” e Urdhrit dhe drejtimi i paramenduar i ndëshkimeve ndaj mjekëve me anë të Komisioneve, duke anashkaluar Urdhrin.

Pjesë nga debatet te Shëndetësia:

Kryetarja Zheni Gjergji: Akti Normativ për Urdhrin e Mjekut është tekë e Ramës. Kryeministri po kërkon të dënojë mjekët me këto ndërhyrje e ndryshime. Por dënimin duhet ta marrë Rama për gjendjen ku ndodhet shëndetësia. Shqiptarët paguajnë më shumë se europianët për shërbimet shëndetësore.

Situata në Onkologjik ka nisur vite më parë, kur ju duhet të kishit marrë masa dhe kjo të mos ndodhte tani. Kriminale nga qeveria që nuk ndihmon pacientët që kurohen në Onkologjik. Jemi në kohë ta rrëzojmë aktin normativ, ta bëjmë sa jemi në kohë dhe të hartojmë një të mirë.

Tritan Shehu: Mjaftojnë këto ndërhyrje që janë bërë në Aktin Normativ, nenet dhe pikat, që Gjykata Kushtetuese ta rrëzojë. Ky Akt Normativ bie ndesh me konceptet e Kushtetutës dhe është antikushtetues!

Petrit Vasili: Aktet normative janë te përkohshme, Kushtetuta e thotë qartë se janë masa të përkohshme. A ka një afat sa zgjat ky akt? Kanë një masë të shtrirë në kohë, sa është kjo masë? Analogjirat nuk kanë lidhje fare, sepse duhen marrë edhe të tjerat. Ç’punë ka ministria të merret me Urdhrin e Mjekëve. Për çdo problem në sektorë të ndryshëm do ndërhyni në Urdhra për të bërë ndryshime dhe për të dënuar? A ishte punësimi miks me përpara ndryshimit tuaj, po. Unë nuk ndaj të njëjtin opinion me ju. Doni te bëni ligje, bëjini, por jo kështu. Procedimi disiplinor nis nga Urdhri i Mjekut dhe mbaron te Ministria e Shëndetësisë. Ky është Akt i paligjshëm dhe i padrejtë. Nuk është turp ta rrëzosh dhe s’është diskutim politik. Keni instrumentet për ta bërë, evitoheni këtë akt absurd.

Klodiana Spahiu: Ka urgjencë për t’u bërë. Vjen një moment që duhet bërë ndërhyrje. Ka urgjencë dhe nevojë. Janë veprime në kurriz të qytetarit dhe ka nevojë për këtë ndërhyrje. Që jo vetëm të spekulohet, por edhe të zgjidhet problematika. Këto probleme kanë ekzistuar, por vjen momenti që ka nevoja dhe problematika që duhen adresuar, duhet ndërhyrë, pra ka edhe nevojë dhe urgjencë.

Kur themi se mjekët nuk janë konsultuar, hedhim poshtë mendimin e të gjithë atyre mjekëve që morën pjesë në diskutime dhe konsultime me takime me mjekët, nuk kanë qenë diskutime politike.

Albana Vokshi: Hajt mo jepi...

Klodiana Spahiu: Me hajt mo jepi ne nuk mund të vazhdojmë! Emergjenca ishte frenimi i spekulimit për rastin që u evidentua te Onkologjiku, nevoja kërkon adresim. Kjo ndërhyrje do rregullojë eficencën, shërbimin dhe rezultatet. Me mjekësinë ne duhet të bënim një pakt kombëtar, nëse ne e çojmë deri këtu, ju kur te vini në pushtet do e çoni më tej.

Zheni Gjergji- Bordi është politik, sepse e cakton ministria...! Koha na ka dhënë të drejtë për disa nga aktet dhe ligjet tuaja. Sepse Gjykata Kushtetuese i ka kthyer një pjesë që ne kemi qenë kundër.

Albana Vokshi: Tërhiquni nga ky akt normativ! Është i padrejtë antikushtetues dhe shkelje. Nëse s’e tërhiqni vota ime dhe e kolegëve të opozitës është jo. Akti normativ është ose lapsus, ose padije. Për çfarë është ky akt normativ, apo për zhurmë? S’mund te vish me akt normativ me masa të përkohshme.

Te mos konsultohesh me urdhrin e mjekut për ndryshimet në urdhrin e mjekut, nuk e kuptoj. Pse i bëni fshehtas? Pse i trajtoni urdhrin e mjekut dhe mjekët si armiq, trajtojini si palë. Unë i kam denoncuar, i kam çuar në Prokurori, si ministren, zv/ministren dhe të tjerët, le ta vendose Prokuroria, ta vendosë SPAKU. A keni marre masa pas skandalit të Onkologjikut? Asnjë masë nuk është marrë, mungojnë shumë mjete dhe pajisje.

(Përplaset me ministren Albana Koçiu)

Albana Vokshi -Mos ndërhy, zonja ministre kur të jeni ne ministri flisni sa të doni, ka procedurë.

Zonja kryetare, ose nxirre përjashta, se s’ka mundësi... I neveritët mjekët pas skandalit dhe nisët ndërhyrjen te urdhri i mjekut. Shëndetësia në mjerim, pajisjet nuk punojnë dhe barnat mungojnë.

Kjo është vetëm për të mbuluar problemet reale të gjithë problematikën që kanë Onkologjiku dhe gjithë sistemi dhe për të bërë përgjegjës mjekët. Bej përgjegjësen kryesore ministren për situatën në Onkologjik. Urdhri i Mjekut është i pavarur dhe ju nuk mund të ndërhyni.

Ilir Metaj: Ministria e Shëndetësisë ta vazhdoje revolucionin që e ka nisur që në 2014. Qytetarët duhet të marrin shërbimin që duhet dhe me standarte evropiane. Inkurajoj ministren dhe stafin për ndërhyrjen e bërë për të ndërhyrë me përgjegjësi aty ku rrënja e problemit ekziston.

Fytyrat e disa kolegëve që kam përpara janë arkitektët e shkatërrimit të sistemit shëndetësor, kur i dëgjoj që flasin për kujdes për pacientët që i kishin lënë në pluhur e hangarëve, fletët e barnave bosh, cipat e mureve, skenarë filma horror të ambienteve të spitalit...

Zheni Gjergji: Keni dy ish-ministra në dyert e SPAK-ut. Dhe morët koncesione dhe fondet...

Oriola Pampuri: Unë ngre shqetësimin se qeveria po kërkon të vërë në kontroll politik mjekët, me aktin normative për Urdhrin e Mjekut.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic