TIRANE - Drejtuesit e shtetit shqiptar, figura të njohura të politikës, u kanë dërguar urimet e tyre, besimtarëve katolikë shqiptarë duke filluar që nga Presidenti i Republikës, Kryeministri, Kryetarja e Kuvendit etj.

PRESIDENTI NISHANI: NE KETE DITE TE SHENJTE, URON SECILIN PER DASHURI E PAQE

Presidenti Nishani uron besimtarët katolikë për festën e Pashkës. "Në këtë ditë të shenjtë të Pashkës ju uroj secilit prej jush dhe familjeve tuaja dashuri, lumturi, paqe, miqësi, kthjelltësi.Është kënaqësi t'i urosh Pashkët një besimtari të vetëm e jo më një komuniteti të tërë që jeni Ju, kristianët katolikë shqiptarë, kudo ku ndodheni", thuhet në urim.

"Bëhet e shumëfishtë kjo kënaqësi po të kujtosh se këtë urim ia dedikoj një pjese të mozaikut të mrekullueshëm multireligjioz shqiptar; atij mozaiku që prej shekujsh ka funksionuar aq mrekullisht duke mundësuar marrëdhënie ndërfetare paqësore mes besimeve tona. Pashkët bartin një numër simbolikash nga më domethënëset, më të bukurat dhe më të vlefshmet.

Pashkët me anë të simbolit të përsosjes përmes sakrificës, na japin shembullin aq të vyer të rrugës sa të mundimshme dhe të bukur drejt Virtytit. Pashkët na kujtojnë dhe na ngjallin Shpresën, që aq shumë na nevojitet, për jetën tonë, për punët tona, për familjet tona, për të ardhmen tonë. Pashkët na rievokojnë rëndësinë e të rënit dëshmor të njeriut për njeriun.

Lejomëni t'ju kujtoj gjithashtu, se po të mendojmë nga pak çdo ditë për Sakrificën e Krishtit, bëhemi më të mirë, më të urtë, më të butë, më të dashur, më të njerëzishëm, për vete, për tjetrin, dhe për të gjithë", - përfundon Nishani.

KRYEMINISTRI BERISHA: UROJ GJITHE BESIMTARET E ZOTIT "GEZUAR PASHKET"!

Kryeministri Berisha e ka nisur ditën sot me një urim në "Facebook": "Mirëmëngjes të dashur miq! Gëzuar Pashkët! Le t'iu urojmë sëbashku të gjithë besimtarëve të krishterë katolikë dhe protestantë, por dhe të gjithë besimtarëve të Zotit "Gëzuar Pashkët", ditën e shpresës së pashuar dhe të përjetësisë, ditën e ringjalljes së Krishtit, Hyjit, që pas kryqëzimit u ringjall për të ndryshuar aq shumë botën dhe moralin e shoqërisë njerëzore.

Uroj që vitin e ardhshëm, Pashkët të na gjejnë edhe më mirë!" përfundon mesazhi i Kryeministrit në "Facebook".

KRYETARJA E KUVENDIT, TOPALLI: PASHKET JANE FORCE PER TE ECUR PERPARA!

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka lënë urimin e saj për këtë ditë feste, të përzier me dëshirën për fitore në zgjedhjet e 23 qershorit.

"Për shumë vjet Pashkët! Pashkët janë festë që na japin forcë për të ecur Përpara", - shkruan Topalli në Facebook. "Sot, besimtarët katolik me familjet tyre, me fëmijët tyre do të festojnë ditën e mrekullisë, ditën e triumfit të jetës. Pashkët, në fakt janë simbol i triumfit të besimit. Pashkët janë reflektim për sakrificën e Krishtit. Pashkët janë një premtim që Zoti e risjell çdo pranverë. Fryma e Pashkëve është shpresë, është dashuri, është gëzim i jetës. Në këtë ditë të shenjtë, është koha të shohim vlerat që na bashkojnë, t’i gëzohemi familjeve tona, njerzve tanë të dashur, fëmijëve tanë e t’u japim atyre bekimin për një jetë sa më të gëzueshme, për një jetë sa më të bukur. Ju uroj të gjithëve, Pashkë të mbushur me gëzim e jetë, bashkë me familjet e fëmijët tuaj. Zoti ju bekoftë të gjithëve ju shqiptarë kudo që jeni! Miqësisht, Jozefina".

(Redaksia online)
(ar.sh/shqiptarja.com)