Reagimi i menjëhershëm i politikanëve, kryesisht i kryeministrit Edi Rama, për arritjen historike të Luiza Gegës, e cila u shpall kampione Europe në atletikë, ka nxitur reagimin e bilardistit Eklent Kaçi. Ky i fundit vite më herët është shpallur kampion Bote dhe Europe, ndërsa edhe aktualisht përfaqëson flamurin në nivelet më të larta.

Kaçi në rrjetet sociale ka uruar Gegën për arritjen, por duket i indinjuar se përse për të nuk kujtohet njeri, duke kërkuar edhe vëmendjen e kryeministrit. Konkretisht bilardisti ka shkruar:

“Shumë urime Luiza Gega kampione Europe. Unë kampion Bote, kampion Europe duke përfaqësuar Shqipërinë me shpenzime personale. Edi Rama, po unë nuk meritoj respekt? Apo bilardo.”

Eklent Kaçi është vetëm 23 vjeç, ndërsa prej moshës 8-vjeçare ka nisur të merret me sportin e bilardos.