PRISHTINË, 16 Janar/ATSH/.- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Arsim Bajrami ka pritur sot në takime të ndara një delegacion nga USAID-i, i kryesuar nga drejtori i kësaj organizate në Kosovë, James Hope, dhe më pas shefen e Zyrës së UNICEF-it për Kosovën, Laila Omar Gad.
Sipas KosovaPress, në këto takime është biseduar për thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, me qëllim rritjen e cilësisë në arsim.
Në takimin me udhëheqësit e USAID-it, ministri Bajrami falënderoi për ndihmën e madhe që i kanë dhënë arsimit në Kosovë, përmes projekteve shumë të rëndësishme, ndërsa theksoi se ndihma e tyre është shumë e nevojshme edhe në të ardhmen.
"Ne do të përqëndrojmë punën tonë në rritjen e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit dhe mbështetja juaj në këtë drejtim do të na ndihmonte shumë, në mënyrë që të kemi mësimdhënie cilësore, e si rezultat edhe arsim cilësor dhe zhvillim ekonomik", tha ministri Bajrami.
Drejtori i USAID-it, James Hope, e informoi ministrin Bajrami për programet, të cilat aktualisht është duke i mbështetur kjo organizatë, ndërsa premtoi mbështetje të mëtejshme për prioritetet dhe iniciativat që ka ministri Bajrami për zhvillimin e sektorit të arsimit.
Ndërsa, ministri Bajrami vlerësoi mbështetjen e madhe që ka dhënë UNICEF-i, në takimin që pati me shefen e kësaj organizate për Kosovën, Laila Omar Gad,. Ministri foli për prioritetet që ka gjatë mandatit të tij dhe synimin për ngritjen e cilësisë në arsim.
Laila Omar Gad tha se UNICEF-i e ka mbështetur vazhdimisht sektorin e arsimit dhe do të vazhdojë ta mbështesë ministrin Bajrami në projektet për rritjen e cilësisë në arsim. /m.m/










