USAID, dy projekte me rreth
3 mln € për bujqësinë shqiptare

USAID, dy projekte me rreth<br />3 mln € për bujqësinë shqiptare
TIRANË -  USAID njoftoi sot fillimin e dy projekteve të reja për të mbështetur zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri.

Organizata AAC Lushnja do të zbatojë një projekt 3-vjeçar prej 960,000 dollarësh amerikanë, për t’u dhënë asistencë teknike prodhuesve në sektorin e bujqësisë për shtimin e prodhimit të produkteve me vlerë të madhe dhe për mbështetjen e konkurrencës tregtare në bujqësi.
 
Organizata CBS do të zbatojë një projekt 3-vjeçar prej 1.49  milionë dollarësh amerikanë, për të punuar me bankat dhe me institucionet financiare për të zhvilluar shërbime dhe produkte më të mira huadhënieje në bujqesi, si dhe për të ndihmuar fermerët dhe bizneset të përmirësojnë kontabilitetin dhe raportimet e tyre financiare, planet e biznesit, dhe aplikimet per hua.
 
Drejtori i Misionit USAID/Shqipëri, Jim Barnhart, prezantoi sot organizatat që kanë marrë fonde për zbatimin e këtyre projekteve: organizata Albanian Agriculture Competitiveness (AAC), Lushnja (Konkurrueshmëria në Bujqesinë Shqiptare, Lushnjë) dhe organizata Creative Business Solutions (CBS) (Zgjidhje Krijuese në Biznes), në një ceremoni ku ishin të pranishëm asistentja e administratorit të USAID/Washington në Zyrën për Europën dhe Euroazinë, Paige Alexander dhe ministri i Bujqësisë, i Zhvillimit Rural dhe i Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti dhe përfaqësues nga bizneset bujqësore, bankat dhe shoqatat e biznesit.
 
USAID ka qenë aktiv në mbështetjen për bujqësinë shqiptare që në vitin 1992. Në fillim puna përqendrohej në sigurinë e ushqimit dhe në teknikat kryesore bujqësore.
 
Puna e mëvonshme është përqendruar në bërjen e fermerëve dhe të agrobizneseve shqiptare më konkurues në tregjet e brendshme dhe të eksportit, përmes teknikave të përparuara, kontrollit të cilësisë,  marketingut dhe ambalazhimit.
 
Gjatë njëzet viteve të fundit është bërë mjaft përparim, por Shqipëria ende e ka raportin import-eksport në bujqësi 7 me 1. Më shumë se 50% e fuqisë punëtore është e angazhuar në bujqësi, dhe bujqësia është një rezervë e rëndësishme për punësim dhe për siguri të qëndrueshme sociale gjatë periudhave të shtrëngesave ekonomike.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë