Ushqimet që duhen për të luftuar
plakjen e lëkurës

Ushqimet që duhen për të luftuar<br />plakjen e lëkurës
MILANO - "Sekreti i bukurisë së vërtetë është të mos duash t’i ngjash askujt tjetër, asnjëherë një gruaje tjetër dhe aq më keq një diveje. Edhe ato kanë defektet e tyre, besomëni…Rregulli i parë: të jesh mirë me veten tënde, me trupin dhe lëkurën tënde. Bukuria e vërtetë nis që aty…Çdo grua ka të dhëna për përmirësime kundër moshës, për t’u kujdesuar dhe për ta parandaluar. Niset që nga stili i jetës", thotë prof. Francesco Bruno, dermatolog, i famshëm në Milano për klientet e tij aktore dhe modele, i intervistuar nga "Margherita.net". Cilat janë rregullat, që duhet të ndjekim, sipas profesorit, për lëkurën tonë? "Mos pini duhan, një ushqim korrekt, ushtrim fizik dhe të qëndrosh në diell në mënyrë inteligjente", na këshillon dermatologu milanez. "Një ushqim i rregullt kontribuon për të kontrolluar plakjen e lëkurës dhe parandalimin e rudhave. Një kujdes i veçantë i duhet kushtuar vaktit të mëngjesit", shton ai.  

MËNGJESI DUHET I MIRË
"Luftë "non stop" rudhave me ushqime, që stimulojnë prodhimin e elastinës, hidratojnë në thellësi, mbrojnë kapilarët", pohon Bruno. "Mëngjesi paraqet një burim energjie për organizmin, por edhe një koncentrat të substancave të mira për lëkurën dhe ndriçimin e saj. Ndaj armiqëve të lëkurës, dermatologët sjellin armë nga natyra: vitamina, enzima, acide vajore, antioksidantë kryesorë, të gjitha  janë ndër më kryesorët për recetat beauty".
 
PËR ENËT E GJAKUT
Për të rregulluar dhe mbajtur elastikë enët e gjakut këshillohen ushqime të pasura me flavonoidë, antocianosidë, vitaminë C, të pranishme sidomos tek frutat e pyllit apo dhe te reçeli, të cilat nuk duhet të mungojnë kurrë në një mëngjes të plotë.

VLERAT E KAFESË
Por edhe kafeja, sigurisht në doza të kalibruara, tonifikon enët e gjakut dhe shton shpejtësinë e fluksit ematik falë një përbërësi kryesor, kafeinës. Gjithë kjo do të thotë oksigjenizim më i mirë i indeve dhe lëkurë më tonifikuese. Por nuk mjafton: kafeina i bën dëm atyre që kanë celulite, pasi zhvillon mbledhjen e yndyrave.

RELAKS DHE LUMTURI ME ÇOKOLLATË
Mes pijeve të mëngjesit një rol të pazëvendësueshëm ka qumështi, që jo vetëm është tepër i pasur me kalçium, i çmuar për kockat e fëmijëve dhe të moshuarve, por përmban aminoacide, që stimulojnë prodhimin e kolagjenit dhe elastinës, të domosdoshme për freskinë e lëkurës. Një sasi e mirë flavonoidësh, antioksidantë të fuqishëm gjenden edhe te kakao. Tek çokollata gjejmë magnezium dhe triptofan, dy aleatë kundër rudhave, pasi janë burim çlodhjeje dhe mirëqenieje. Çokollata e zezë në veçanti i bën mirë zemrës. Kakao është çlodhëse dhe lufton kontraktimet muskulare nga stresi, ndërsa e dyta është një pararendëse e serotoninës, hormonit të lumturisë.

HIDRATIM I THELLË
Vitaminat A, C dhe grupi B stimulojnë aktivitetin e fibroblasteve, qelizat që prodhojnë kolagjenin dhe elastinën, ndërsa vitamina C dhe E, bashkë me flavonoidët dhe polifenolët udhëheqin "hit parade"-in e antioksidantëve. Një kapitull shumë me rëndësi është ai i hidratimit, i cili është i lidhur me acidet yndyrore omega 3 dhe 6 dhe me acidin gamalinolenik (GLA).

TRIUMFI I VITAMINËS C
Në mëngjes duhet edhe një triumf i vitaminës C në portokalle dhe fruta. Vlerat e tyre? Përmirëson elasticitetin e enëve të gjakut dhe lëvizshmërinë e kapilarëve, për pasojë është shumë e përdorshme për metabolizmin e lëkurës dhe përtëritjen e qelizave, rregullon prodhimin e melaninës (e këshilluar për njollat e errëta dhe të bardha).
Së fundi, stimulon sistemin imunitar dhe shton mbrojtësit natyralë të organizmit. "Overdose" e vitaminës C gjendet tek kivi, i pasur edhe me vitamina A dhe E, me aftësi të shkëlqyera laksative (për jashtëqitjen).

RËNDËSIA E FRUTAVE
Quhet bromelina përbërësi bazë i ananasit: është antiedematik, antinflamator dhe i kundërvihet celuliteve. Betakaroten dhe vitaminë A gjenden te luleshtrydhet, te pjepri dhe mango. Pigmenti është shtresëzuar në lëkurë dhe e mbron atë nga rrezet ultravjollcë. Sa i përket mollës, të cilës i përket thënia e famshme “një mollë në ditë mban doktorin larg', ajo është e pasur me vitaminat  A e C, oligoelementë, kripëra minerale. Përmban edhe kuercetinën, e cila përmirëson përthithjen e oksigjenit në organizëm dhe stimulon aftësinë pulmonare. Ka edhe aftësi anti-plakje falë flavonoidëve dhe polifenolëve.

BUKË DHE GJALP, USHQIME TË PËRJETSHME
Energji e menjëhershme te buka, e pasur me niseshte, me një sheqer që prej kohësh jep ngarkesën e nevojshme pas natës. Në versionin integral, buka është e pasur me krunde, oligoelementët e të cilës janë "miq" të flokëve, thonjve, por edhe bazë e një ekuilibri për metabolizmin. Mes më domethënësve, hekuri që transporton atomet e oksigjenit nga gjaku në inde, duke i ushqyer dhe zinku, që forcon membranat qelizore dhe stimulon sistemin imunitar. Së fundi, edhe bakër, që sipas të dhënave të hulumtimeve të kohëve të fundit duket se vlejnë për të parandaluar dhe frenuar nxirjen. Disa lloje të bukës integrale përmbajnë edhe acid  (GLA), e cila hidraton thellësisht indet dhe lufton thatësinë. Celuloza, kripëra minerale dhe vitamina te krundet, orizi i bymyer dhe misri.
 
Po gjalpi? Është ushqimi ndoshta më i pasur me selen, vlerat e së cilës janë të famshme si antioksiduese dhe si stimuluese të sistemit imunitar. Gjalpi i papërpunuar ka doza të larta të vitaminës A.

MIRËSI TEPËR E EMBËL: MJALTI
Ëmbëlsues natyral dhe i pasur me vitamina, aminoacide, minerale: mjalti i jep mëngjesit një shije veçanërisht të këndshme dhe e bën tërheqëse dhe për orekset më të vështira.

E NËSE NË DARKË ËSHTË SHKELUR?
Oscar Wilde thoshte: "Mënyra më e mirë për t'i bërë ballë tundimit është t’u jepesh atyre”. Të bësh një përjashtim nga rregulli, sidomos në verë, kur ju jeni shpesh jashtë për darkë, na bën më njerëzorë. Por në qoftë se ne duam të anulojmë krejtësisht kaloritë ekstra që kemi marrë, mjafton që ditën tjetër të hamë vetëm fruta (çdolloj frute në sasi të pakufizuar).

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve