TIRANE- Punonjësit e Policisë Ushtarake që u kërcënohet jeta do të merren në mbrojtje nga shteti. Qeveria ka miratuar një vendim të posaçëm për ata punonjës të cilët për shkak të detyrës, u vihet në rrezik jeta ose ndonjë nga anëtarët e familjes. “Punonjësit të Policisë Ushtarake, që, për shkak të detyrës, i kërcënohen jeta, familja dhe prona, i sigurohet mbrojtje e veçantë nga Policia Ushtarake. Me mbrojtje të veçantë sipas këtij vendimi nënkuptohen masat me karakter organizativ e profesional për sigurimin dhe ruajtjen e veçantë fizike, mbrojtjen e familjes e të pronës së punonjësit.

Punonjësi i kërcënuar paraqet kërkesë me shkrim për mbrojtje të veçantë të shoqëruar, sipas rastit, me certifikatën familjare. Kërkesa me shkrim duhet të përmbajë: gjeneralitetet e plota të punonjësit, faktet dhe rrethanat, që përbëjnë rrezik për punonjësin si dhe burimin e provave ku bazohen ato dhe llojin e masës mbrojtëse dhe kohëzgjatjen e saj”, - përcakton vendimi i qeverisë. Kushtet për të përfituar mbrojtje janë ekzistenca e rrethanave që rrezikojnë jetën, familjen dhe pronën e punonjësit dhe ekzistenca e lidhjes shkakësore ndërmjet rrethanave dhe ushtrimit të detyrës nga punonjësi.