Një grup ushtarësh nga Shqipëria ditën e sotme kanë qënë të pranishëm në veri të Mitrovicës. Kjo ka sjellë një shqetësim për për Serbinë pasi zona e veriut të Mitrovicës është një zonë e 'nxëhtë' për shkak të konfliktit të hershëm mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas raportimeve të mediave serbe, shfaqja e ushtarëve shqiptarë me uniforma ka shkaktuar “shqetësim” për qytetarët serb në veri të Mitrovicës.
Në lidhje me këtë prezencë të Forcave të Armatosura Shqiptare në Mitrovicë ka reaguar edhe KFOR, ku në një komunikim për shtyp ka deklaruar se nuk ka asgjë për tu shqetësuar .
“Pavarësisht nga thirrjet e shumta për mos-përhapje të spekulimeve të papërgjegjshme, për fat të keq thashethemet e fabrikuara vazhdojnë të qarkullojnë nëpër media dhe shkaktojnë shqetësime të pabaza tek popullata. KFOR-i konfirmon se gjendja në veri, si dhe në mbarë Kosovën, është absolutisht nën kontroll dhe nuk ka asnjë shenjë apo dëshmi për trazira apo dhunë të mundshme”, thuhet në njoftim.
“Këtyre ditëve, një grup oficerëve të NATO-së, të shoqëruar nga KFOR-i, po zhvillon një aktivitet zbulimi nëpër Kosovë. Ata oficerë janë nga shtetet e ndryshme të NATO-së, përfshirë Shqipërinë. Aktiviteti përfshinë vizita nëpër vende të ndryshme në Kosovë, duke përfshirë Mitrovicën dhe lokacione tjera në veri. Ky nuk është provokim, por është një aktivitet i përbashkët i NATO-së, dhe prania e 4 oficerëve shqiptarë nuk duhet ta habisë askënd pasi që Shqipëria është anëtare e NATO-së tani e 10 vjet. Për më tepër, duhet të dihet se Shqipëria gjithashtu kontribuon në misionin e KFOR-it”, thuhet më tej në komunikatën e KFOR-it.