Pas samitit të së hënës, me vendet e koalicionit të vullnetarëve që mbështesin Ukrainën, Presidenti francez Emmanuel Macron lidhi festën kombëtare të Francës 14 korrikun, ditën e Bastijës me përpjekjet e përbashkëta europiane për shtimin e kapaciteteve në mbrojtje, sëbashku me mbështetjen ndaj Ukrainës. Mesazhin ua drejtoi ushtarakëve në fjalimin e tij të fundit drejtuar atyre në mandatin e tij si President.
"Sa herë që krijojmë fragmentim, mund të ndihemi mirë në atë moment, por në të vërtetë po krijojmë vonesat e së nesërmes. Sa herë që i bëjmë lëshime nacionalizmit, në Francë apo gjetkë, ne e keqkuptojmë historinë tonë. Në një kohë kur Evropa po riarmatoset, të mendosh se rruga e historisë qëndron te grumbullimi i kapaciteteve ushtarake nga secili prej nesh veçmas është një absurditet", tha mes të tjerash Macron.
Sipas Macron, Evropa duhet të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën pasi liria dhe siguria e Evropës janë të lidhura drejtpërdrejt me fatin e Ukrainës dhe se vendet evropiane duhet të jenë të gatshme ta mbrojnë lirinë "edhe me koston e gjakut”, nëse është e nevojshme.
Mbrëmja e së hënës shënoi edhe nisjen e festimeve për Ditën e Bastijës. Kulla Eifel në Paris u kthye në stacionin e një spektakli fishekzjarresh e dronësh.
Këtë të martë, Parisi nën masa të rrepta sigurie u vu në dispozicion të paradës për festën kombëtare të Francës. Macron shëtiti Parisin mbi një makinë ushtarake, teksa trupat tokësore dhe ajrore të ushtrisë franceze ofruan një shfaqje force.
Ne Champs Elysee, parakaluan gjithashtu toga ushtarake ng ate gjitha vendet e koalicionit të vullnetarëve për Ukrainën. Ushtarëve të Kievit në boulevard iu bashkuan edhe ato shqiptare.
Një tribunë nderi priti liderë nga të paktën 35 shtete të botës, pjesë e të cilëve ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që mori pjesë edhe në samitin e një ditë më parë.
Kreui i qeverisë ndau pamjet e ushtarëve shqiptarë, të cilët parakaluan në Champs Elysee, në nder të ditës së shënuar kombëtare franceze.
Komente









