TIRANË - Edhe Forcat e Armatosura janë përfshirë sot në aksionin kombëtar “Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë”.

Me mbi 500 forca dhe 24 mjete të ndryshme forcat tokësore morën pjesë në mbështetje të Prefekturës së Shkodrës, duke u përqendruar sidomos përgjatë rrugës nacionale Lezhë–Shkodër dhe aksit tjetër rrugor Shëngjin-Lezhë, si dhe të prefekturës së Fierit dhe asaj të Beratit, kryesisht në akset rrugore Berat-Fier dhe Berat-Lushnje.
 
Baza Ajrore e Farkës mori pjesë me 60 forca dhe 4 mjete në mbështetje të komunës së Farkës në Tiranë, ndërsa mbi 80 forca dhe 15 mjete të ndryshme të Brigadës së Mbështetjes Rajonale vepruan në mbështetje të Prefekturës së Durrësit në rrugën Rinas–Krujë dhe përgjatë autostradës Durrës-Golem. Po kështu, Qendra e Stërvitjes në Bunavi  u përfshi me forca dhe mjete në mbështetje të Prefekturës së Vlorës në rrugën Panaja-Komuna Qendër, Vlorë.

Trupa dhe mjete të strukturave të Forcave Tokësore u angazhuan për pastrimin e plazhit të Tales në Lezhë. Ato u angazhuan jo vetëm për pastrimin e venddislokimeve të tyre të përhershme, por në bashkëpunim me organet e pushtetit vendor edhe për pastrimin e mjedisve të tjera publike në disa qytete dhe zona të vendit tonë.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ishte pranë këtij aksioni në Tale, ku  është pritur nga komandanti i kësaj Force, gjeneralmajor Zyber Dushku. Ministrja Kodheli është shprehur së në aksionin që po bëhet sot për pastrimin nga mbetjet e ndryshme, vërehet se në bregdetin tonë gjenden shumë mbetje të rrezikshme spitalore, jo vetëm për ambjentin, por edhe për qytetarët. Sipas saj, këto mbetje vijnë përmes lumit Mat dhe përfundojnë në det. “Disa spitale të qarkut të Lezhës, kanë probleme me djegien apo shkatërrimin e këtyre mbetjeve dhe ka shumë mundësi që ktëo mbeturina spitalore të hidhen në një bregdet të mrekullueshëm si ky i Tales. Ne si qeveri duhet të marrim masa për të mundësuar djegien e mbetjeve spitalore në kushtet e standardeve të BE-së”, - tha Kodheli.

Më tej ajo theksoi se, ne kemi trashëguar një sistem totalisht të papërshtatshëm, madje armik të mjedisit lidhur me shkatërrimin e mbetjeve spitalore, ashtu siç trashëgojmë një edukatë që është totalisht kundër dhe armike e mjedisit të përbashkët. Kjo është një ditë ndërgjegjësimi për të gjithë ne, me shumë pak mund ne mund t’i japim ambjentit ku jetojmë, të ardhmes së fëmijëve tanë, shumë më shumë nga çka kemi dhënë deri më sot, është shprehur ministrja Kodheli.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)